Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

AAK mbështet mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se partia e tij do ta mbështes mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Këtë e ka bërë të ditur Haradinaj pas takimit që e ka mbajtur me të parin e LDK-së, Isa Mustafa, në një nga hotelet e Prishtinës.

“Ne jemi opozitë, sa herë që ka mocion për rrëzim të Qeverisë, opozita voton për. Qeveria Kurti ka ofertuar për heqjen e tarifës por e ka bërë në mënyrën më të keqe duke e lënë pa asnjë kredit Kosovën duke e faktorizu në mënyrën më të mirë Serbinë, duke e lënë Kosovën pa tarifë por edhe pa miq”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.

Haradinaj ka thënë se në takimin me Mustafën është folur kryesisht për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Ai është pyetur nga gazetarët nëse do të bëhet pjesë e një qeverie teknike, por Haradinaj ka thënë se është herët për të folur për këtë.

“Nuk e di, është herët me fol”, ka thënë Haradinaj.

Dje kryeministri Kurti e ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Pas shkarkimit të Veliut, LDK mbajti mbledhjen e Kryesisë, ku u propozua mocion për rrëzimin e Qeverisë. Këtë mocion nuk e kanë mbështetur, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

LDK inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti

.