Foto: Facebook/ Ramush Haradinaj

AAK mbështet kandidatin e LDK-së për kryetar të Podujevës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës ta mbështesë kandidatin e LDK-së, Nexhmi Rudari.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ky vendim është marrë në një takim të Haradinajt me strukturat e degës së AAK-së në Podujevë.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Në garë janë edhe kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi dhe ai i PDK-së, Naim Fetahu.

Zgjedhjet mbahen pasi që ish-kryetari Agim Veliu u emërua në postin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Ky është publikimi i plotë i Ramush Haradinajt:

“Vizitova sot Degën e AAK-së në Podujevë, ku diskutuam për ciklin e brendshëm zgjedhor nëpër të cilin po kalon Aleanca, si dhe për situatën e përgjithshme politike në vend. Jemi të vendosur që të realizojmë reformat e nevojshme brendapartiake, ndërkohë që po luajmë rol konstruktiv në politikbërjen nacionale që shteti ynë të mos rrëshqasë në situata të dëmshme për qytetarët!

Në këtë takim me strukturat e AAK-së në Podujevë u mor vendim që Aleanca ta përkrahë kandidatin e LDK-së për kryetar, profesor Nexhmi Rudari.”