Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK kërkon veprime nga Qeveria e Kuvendi lidhur me çështjen e vizave

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të reagojnë në lidhje me situatën e krijuar në raport me liberalizimin e vizave.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është e pa kuptimtë që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mos ketë një komunikim zyrtar dhe të kërkojë nga institucionet përgjegjëse përgjigje se pse po ndodh kjo.

“Kjo duhet të ndodhë nga Kuvendi. Kryetari i Kuvendit duhet ta adresojë një letër dhe kryeministri duhet të flasë. Në qoftë se kryeministri i Kosovës ka një kusht, ai duhet tu tregojë popullit të vet, në qoftë se jo, ai duhet ta trajtojë këtë çështje seriozisht”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, drejtimi i Kosovës në politikën e jashtme është pro perëndimor dhe ky drejtim nuk duhet të keqpërdoret.

“Ky trajtim jo dinjitoz i Kosovës duhet ndaluar. Drejtimi ynë dihet, është pro-perëndimor në politikën e jashtme, pro-amerikan, në agjendën evropiane 100 % pro Brukselit. Derisa Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk e sanksionon Rusinë, kalkulon dhe luan me agjendën e tyre për interesa politike, Kosova e ka një drejtim dhe të mos keqpërdoret kjo” – ka thënë ai.

Presidenca Çeke e Këshillit Evropian ka thënë të enjten se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Megjithatë, ajo nuk e ka specifikuar se për çfarë çështje bëhet fjalë.

Përmes një deklarate të publikuar pas debatit të mbajtur nga grupi punues për vizat në këtë Këshill, Presidenca Çeke ka thënë se duhet të vazhdojë diskutimi.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë marrë vesh se Franca ka propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.