Mbledhja e KQZ-së FOTO-Amire Qamili- Çollaku/KALLXO.com

AAK kërkon rinumërim të plotë të procesit zgjedhor

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ibrahim Selmanaj, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ, kërkoi rinumërim të plotë të të gjitha votave, të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Hetuesia duhet seriozisht të merret me secilin përgjegjës të secilës qendër aty ku është bërë ndërhyrja. Në këtë rast bëhet fjalë për AAK. Unë kërkoj nga KQZ që të behet një rinumërim i plotë që të pastrohet procesi dhe të evidentohen rastet se ku ka pas keqpërdorime”, tha Selmanaj.

Ndërsa, kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka tha se janë duke u bërë hetime nga prokuroria e policia.

“Për arsye të hetimeve nuk kisha dashtë me u deklaru se ka persona të ndaluar. Për ta heq dyshimin të një kandidate që është fol në video dhe pasi të kryhen hetimet, ne do ta kemi informatën e plotë se çka ka ndodhë”, tha ajo.

Sipas saj, objekt i hetimit janë vetëm disa kuti.

“134 kuti nuk janë objekt i hetimit. Por nëse në ato kuti dalin dallime edhe emrat e atyre personave/ komisioner do të dërgohen për hetim”, tha Daka.

Sa i përket numërimit total, Daka tha se atë çështje e vendos KQZ.

“Nëse merr përkrahje atëherë do të ndodh”, tha ajo.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga LVV, nuk e përkrah rinumërimin e plotë.

“Unë e kuptoj që gjithmonë ata që marrin më pak vota natyrisht që nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatet. Mendoj se nuk ka shenja që është i domosdoshëm rinumërimi i plotë. Rinumërimi i plotë tregon se ky proces zgjedhor ka qenë i kriminalizuar, i keq”, tha Kurteshi.

Por, anëtari i AAK-së, Selmanaj tha se “është demokratike që votat të rinumërohen dhe vlerësohen”.

E Sami Hamiti nga LDK tha se është kërkesë reale nga ana e përfaqësuesit të Aleancës për t’u zbuluar gjithçka rreth kandidatëve.

“Unë e shoh që ato kuti ku ka pas pabarazi mes kandidatëve e formularëve kanë shku në auditim. Mendoj se nuk do të ketë ndryshime të rezultateve. Unë e kuptoj Ibrahimin por unë uroj që prokuroria ta kryej punën e vet qysh është më së miri”, tha Hamiti.

Daka propozoi që të presin të shohin se a ka dallime të dukshme që rrëzojnë deputet, ndryshojnë renditje, përmbysin rezultatin sidomos sa i përket subjektit AAK-së, e pastaj të vendosin se a ka nevojë për rinumërim të plotë të procesit zgjedhor.

Arianit Elshani anëtar i PDK-së në KQZ tha se ka edhe raste tjera që janë evidentuar gjatë auditimit me mospërputhje të rezultateve.

“Shpresoj që nesër të përmbyllet ky proces dhe ta shohim a ka mospërputhje të rezultateve”, tha më tej ai.

Ndërsa në këtë mbledhje, Burim Ahmetaj, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së, tha se procesi  i rinumërimit ka vazhduar për 134 vendvotime dhe nga ky proces i rinumërimit të pjesshëm 19 vendvotime është dashtë t’i nënshtrohet rinumërimit të plotë.

“Besojmë se gjatë ditës së sotme ky proces do të përmbyllet. Jemi në fazën e krahasimit dhe procesimit në bazën e të dhënave. Në mënyrë tabelare do ta keni secilin ndryshim pas këtij procesi”, tha ai.