Foto: KALLXO.com

AAK kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një deklarate ka kërkuar që menjëherë të ndërpriten të gjitha aktivitetet për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë deklaratë gjithashtu është kërkuar mbledhje e jashtëzakonshme e Qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave të ngritura nga Dhomat e Specializuara.

Deklarata e Ramush Haradinaj:

Deklaratë nga mbledhja urgjente e Kryesisë së AAK

– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

– AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së! Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse, kundër pushtetit kriminal e gjenocidal serb, dhe do të dëshmohet si shumë herë më parë, pastërtia e saj.

– AAK kërkon:

1.Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re

2.Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme

3.Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë

4.Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese

– AAK pyet aleatët tonë strategjik ndërkombëtarë, se a jemi në rrugën e duhur për antarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa?