Shemsedin Dreshaj në Kuvendin e Kosovës, 27 janar 2022
AAK kërkon largimin e një neni për pensionistët e viteve '90 nga Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Dreshaj tha se janë për ta korrigjuar padrejtësinë që iu është bërë disa kategorive të punonjësve.
“Kjo iniciativë është ndërmarrë bazuar në shqetësimet e qytetarëve. Skemat sociale në Republikën e Kosovës janë rregulluar me ligje të ndryshme forma të ndryshme dhe përqindje të ndryshme, ligji për FSK, ligji për pensionistët nga minierat, skemat kontributdhënëse për punëtorët e arsimit të viteve 90-ta” – tha Dreshaj.
Dreshaj ka thënë se kërkojnë largimin e diskriminimit të pensionistëve kontributdhënës.
“Kërkesa bëhet fjalë për plotësimin e ligjit, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Kërkojmë largimin e nenit diskriminues që parasheh që secili kandidat që shkon me pension kontributdhënës duhet t’i ketë së paku 15 vite para 1 janar 1999” – tha Dreshaj.
Me propozimin e tyre Dreshaj tha se parashihet që pensionet kontribut dhënëse ti gëzojnë gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para 1 janar 1999.
“Kemi rastin për një ditë ose për një javë janë pensionuar dhe nuk kanë pas rastin ta gëzojnë pensionin kontributdhënës” – tha ai.
“Kush nuk e mbështetë këtë nismë ligjore bën gjynah para zotit dhe para robit” – u shpreh Dreshaj.
Ndërkaq, Fatmire Kollçaku, kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tha se e kanë shqyrtuar këtë projektligj dhe Komisioni ka vendosur që Kuvendit t’i paraqes rekomandim që mos të miratohet në parim ky projektligj.
“Komisioni e shqyrtoi këtë projektrligj dhe vendosi t’i rekomandojë seancës që nuk është përkrah nga komisioni. Nuk është që nuk është përkrah por nuk mund të zgjidhet në këtë formë” – tha Kollçaku.
Sipas saj, kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe skemave sociale.
“Ne nuk kemi sistem pensional, kemi vetëm disa skema. Kjo duhet të zgjidhet por ashtu siç duhet nga qeveria aktuale e cila aktualisht është duke e bo reformën pensionale” – u shpreh Kollçaku.
Këtë nismë, AAK-ja e ka prezantuar edhe para disa ditëve duke e quajtur këtë ligj diskriminues.
AAK prezanton nismën legjislative për skemat pensionale për kontributdhënësit e viteve ‘90