AAK: Jemi të rreshtuar me SHBA dhe BE në procesin e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se është e rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian në procesin e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë.

Në një reagim, AAK ka thënë se qëndrimi i Aleancës për propozimin evropian të mbështetur fuqishëm nga SHBA, për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, për dallim prej të tjerëve, ka qenë konsistent e në mbështetje të plotë.

“Pa asnjë mëdyshje e kemi vlerësuar se është një marrëveshje që brenda vetes ka njohjen “defakto” të shtetit të Kosovës dhe që është interes nacional i yni” – thuhet në reagim.

Tutje është thënë se AAK i ka dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral.

“Prandaj përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre” – vazhdon tutje reagimi i AAK-së.

Në fund kjo parti ka thënë se rrugës së çlirimit, të lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, i kanë hyrë bashkërisht me partnerët në krye me SHBA, dhe se këtë rrugë bashkërisht do ta përfundojnë.