Foto: AAK/ Facebook

AAK-ja siguron 8 ulëse në Kuvend, këta janë emrat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit.

Sipas këtyre rezultateve, fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 49.95%, më pas është PDK me 16.9%, e treta është LDK 12.64%, AAK me 7.78% dhe Lista Serbe me 5.06%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt, i cili kandidoi në këto zgjedhje për president, ka arritur të sigurojë 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Bartësi i listës së AAK, Ramush Haradinaj ka marrë 41 mijë e 406 vota. I dyti me radhë është vëllai i tij, Daut Haradinaj me 13 mijë e 749 vota.

Më pas është zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahiri, ka fituar 7 mijë e 815 vota. Pas Tahirit është Bekë Berisha me 7 mijë e 630 vota.

Më pas renditet Time Kadrijaj me 6 mijë e 804 vota. I gjashti me radhë në listën e AAK-së është renditur ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, që ka arritur të sigurojë 6 mijë e 629 vota. Pas Lekajt është ish ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, me 5 mijë e 900 vota.

Ndërsa kandidatja e fundit që ka arritur të sigurojë ulësen në Kuvend nga lista e AAK-së, është Meliza Haradinaj-Stublla me 4 mijë e 424 vota.