Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK-ja premton trotuare në të gjitha fshatrat e Ferizajt brenda mandatit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka premtuar shtrimin e trotuareve në të gjitha fshatrat e Ferizajt brenda mandatit 4-vjeçar.

Arben Halili, kandidat i AAK për të parin e komunës, tha në Debat Pernime se kjo do të bëhet brenda mandatit.

“Do të shoh një kod buxhetor i cili do të rregullojë të gjitha trotuaret nëpër fshatra në mandatin katër vjeçar të gjitha trotuaret nëpër fshatra do të përfundojnë”, u zotua ai.

Ndërsa kandidati i LVV-së, Valon Ramdani tha në Debat Pernime se brenda 1 viti do ta rregullojë trotuarin në fshatin Sojevë.

Kurse, kandidati i PDK-së Agim Aliu tha se kanë kontraktuar punimet për rrugën dhe trotuarin në këtë fshat.

“Puna në Sojevë tashmë është e kontraktuar për rrugën dhe trotuarin”, tha Agim Aliu

Kjo ka qenë njëra prej temave që është ngritur nga qytetarët e Ferizajt në Debat Pernime.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin timonin e Ferizajt diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Ferizajt: Agim Aliu nga PDK; Arben Halili nga AAK; Sibel Halimi nga LDK dhe Valon Ramadani nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Ferizajt: Abetare Kurti nga Nisma Socialdemokrate; Donjeta Aliu nga PDK; Djellza Salihu nga RDF; Egzona Selimi nga LDK; Fatbardha Zogaj Reka nga LVV; Mimoza Rama nga AKR; Pakize Bujani nga PAI dhe Xhemile Murati Shabani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.