
AAK-ja mban tubim me të rinjtë e Deçanit, premton investime për bizneset e reja
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubim me të rinjtë e qytetit të Deçanit. Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, e ka ftuar rininë e Deçanit ta votojnë numrin 137.
“Nuk ka vend për mashtrues në Kosovë e aq më pak në Deçan”- u shpreh ai më 18.01.2025.
“Ju jeni aq shumë dhe energjia juaj është aq e madhe sa me u ndje në krejt Kosovën. Nuk kam krenari më të madhe sesa kur flas për rininë e Deçanit pikërisht sepse çdoherë nga rinia e këtij vendi ka filluar gjithçka! Rinia e Deçanit ka bërë revolucione ndër dekada e do ta bëj edhe revolucionin e datës 9 shkurt”- ka thënë tutje ai.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, gjatë fjalimit ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë me i gënjy e mashtru, teksa, ka thënë se AAK gjithmonë ka punu për ta nderuar vendin.
Ndërsa kandidati i AAK-së për kryeministër Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë pamje nga tubimi duke premtuar 500 milionë euro për bizneset e reja.
“Rinia e Kosovës është më e mira në botë. Janë shpirti e zemra e këtij populli. Ne nuk kemi djem e vajza për mërgim. E kemi obligim t’i kthejmë e të ardhmën e tyre ta garantojmë këtu, e jo në gyrbet. Krenar me Deçanin tim”- ka thënë ai.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.