Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme për vaksinat

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar organizimin e një seance të jashtëzakonshme për diskutimin rreth vaksinimit në masë dhe parandalimit të keqmenaxhimit të pandemisë.

Tahiri përmes një konference për media tha se në seancën e të hënës nuk duhet të diskutohet për programin e Qeverisë Kurti, por të diskutohet për vaksinimin në masë.

“AAK-ja kërkon organizmin e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutojmë vetëm një temë, vaksinimi në masë dhe parandalimin e keqmenaxhimit të pandemisë. Seanca e të hënës nuk duhet të diskutojmë për programin e qeverisë, situata e krijuar na imponon debatin për vaksinat, vaksinimin në masë dhe jo për një pamflet politik, partiak, të ashtuquajtur program qeverisë, i cili flet më shumë për donacione se sa për planin për vaksinimin në masë”, tha Tahiri.

Ai pyeti kryeministrin Albin Kurtin dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia se çfarë po ndodh me blerjen e vaksinave?.

“Çka po ndodhë o burra me blerjen e vaksinave, buxhetin e keni në Qeveri për blerjen e vaksinave nuk keni opozitë, jemi bashkë. E keni mundësinë e kontraktimit në diskretcion tuajin dhe nuk po kërkojmë nga ju info shtesë, por veprim. Kërkojmë nga Kurti dhe Vitia të veprojnë, nuk menaxhohet shteti as pandemia me lëmoshë, por me veprime konkrete”, shtoi Tahiri. RTK