AAK-ja kërkon që përmes një rezolute të obligohet ZRrE-ja që t’i rishikojë tarifat e rrymës

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, gjatë debatit parlamentar në lidhje me “ngritjen enorme të çmimeve”, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të nxjerrin një rezolutë e cila obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji të rishikojë tarifat.

“Ne po kërkojmë që të bëjmë një rezolutë që si Kuvend kërkojmë nga ZRrE që këto tarifa t’i ri-konsiderojë dhe këto tarifa mos të miratohen në mënyrë që të ngritët çmimi i energjisë. Nëse kjo do të ndodh përgatituni edhe për një valë të re të shtrenjtimit respektivisht të rritjes enorme të çmimeve në Kosovë dhe bankrotimit të shoqërisë dhe bankrotimit të amvisërisë-qytetarëve”, tha ai.

Tahiri tha se është për të ardhur keq për formën si u trajtua kjo temë nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Kryeministri boni hajgare me bojlera e me turbina përderisa më 1 shkurt mundet me hy në fuqi një tarifë e energjisë që i afekton 200 mijë familje, 700 mijë banorë”, tha Tahiri.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.