Ilustrim

AAK gjobitet me 2 mijë euro nga Inspektorati i Prishtinës

Inspektorati i Prishtinës sot ka gjobitur me 2 mijë euro partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për shkak të tubimit të mbajtur në këtë qytet.

Drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri, me anë të një postimi në Facebook ka bërë të ditur për këtë gjobë të shqiptuar ndaj partisë së Ramush Haradinajt.

“Askush mbi ligjin! Grumbullim i më shumë njerëzve – në kundërshtim me vendimin qeveritar; Shkelje e Ligjit për parandalim dhe luftim te Covdi19!”, thuhet në postimin e tij.

Ishte Daut Haradinaj ai që kishte bërë postimin gjatë një takimi me disa të rinj në Prishtinë, duke organizuar një tubim në këtë qytet në kundërshtim me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për masat për COVID-19.

Inspektorati i Prishtinës qysh nga fillimi i parafushatës ka njoftuar se të gjitha partitë që organizojnë tubime në kryeqytet do të gjobiten.

Sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Në anën tjetër, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosmbajtje të maskës apo për shkelje të tjera të parapara me Ligjin COVID-19.