AAK fton kuvendin e punës, hapet gara për kryetar të partisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thirrur pët të dielën kuvendin e jashtëzakonshëm të punës, ku rreth 600 delegatë do të diskutojnë  mbi  procesin e reformave në këtë parti.

Në këtë kuvend do të bëhet edhe miratimi i ndryshimeve në Statutin e AAK-së.

“Sipas ndryshimeve të dakorduara nga Këshilli i Përgjithshëm, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me ndryshimet statutare që pritet të miratohen nesër në Kuvendin e Punës, do të vendos kritere të reja të organizimit të AAK-së, duke përfshirë edhe organizimin në pesë degë të veçanta në Prishtinë, si dhe do të aplikohet parimi, një delegat-një votë, me cka në fakt hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Sipas AAK-së me ndryshimet e propozuara hapet edhe gara për kryetar të kësaj partie ku secili kandidat i propozuar nga Këshilli Drejtues është kandidat potencial për kryetar të partisë.

Kryetari aktual i partisë është Ramush Haradinaj që nga themelimi i partisë. AAK ka drejtuar Qeverinë në dy mandate.

Fillimisht në 2004 përmes koalicionit me LDK-në dhe tani me qeverinë e tanishme në detyrë përmes koalicionit me PDK-në dhe Nismën.