AAK dhe PSD merren vesh për koalicion parazgjedhor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia SocialDemokrate është koalicioni i parë parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti janë marrë vesh sot për t’i bashkuar forcat në një koalicion i cili do t’i ketë në një listë të përbashkët kandidatët e këtyre dy partive.

“Kemi arritur marrëveshje me të cilën PSD dhe AAK do të garojnë bashkë, me një program të përbashkët qeverisës”, tha Ahmeti.

“Ne po i bashkojmë forcat si PSD dhe synimi është që t’i fitojmë zgjedhjet me program të përbashkët qeverisës. E dini që PSD lufton për pagën minimale, për të drejtat e punëtorëve dhe këto kërkesa i kemi vendosur në programin tonë me AAK”, shtoi Ahmeti.

“Bartës i listës do të jetë kandidati i AAK-së, pra z. Haradinaj”, tha ai.

“Kosovën e presin vite të vështira përpara. Nevojitet një koalicion serioz që është i gatshëm të përballet me këto sfida”, tha Ahmeti.

Haradinaj tha se puna në arritjen e koalicionit ka pasur për bazë qëllimet programore.

“Sot jemi më të përgatitur për t’i marrë përgjegjësitë për këto zgjedhje për të gjitha temat që e preokupojnë jetën tonë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se janë të hapur për bashkëpunim edhe me NISMA-n dhe AKR-në.

“Por nuk synojmë PAN2 ose PAN3”, tha ai.

“Po e krijojmë boshtin e fitores”, tha Ramush Haradinaj.