
AAK dhe partnerët e koalicionit mbajnë tubim në Prishtinë, Haradinaj kritikon Kurtin
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal më 12.01.2025, e hapën zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 në një tubim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini e nisi fjalimin me falënderime për të pranishmit, ndërsa tha se pronarë të shtetit janë qytetarët të cilët e kanë sjell Kosovën tek Pavarësia e të tjera arritje.
Ndërsa, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj deklaroi se janë bashkuar për të vazhduar veprat e tyre për Kosovë, duke u zotuar që ky koalicion do ta dërgoj Kosovën në NATO.
“Slogani ynë me Kosovën fituese, ka ardh deri këtu me vëpra dhe ashtu do ta vazhdojmë me vepra të mëdha. Kosova ka ardh me veprën e lirisë. Ne besuam në liri dhe ja arritëm, ata që flasin sot e qeverisën për katër vite ata nuk besojnë, ata folën për shëndetësi por familjet e tyre nuk trajtohen këtu”- u shpreh ai.
Kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj kritikoi kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin të cilin e quajti mashtrues.
“Shko Albin se dojm anëtarësim në NATO, dojm garanci me Amerikën, nuk dojm me bë lojna me aleatët tonë. E dojmë hekurudhën, investime në Trepçë, aeroportin e Gjakovës, autostradën për Gjilan, Mitrovicë, Podujevë, rrugën për Gjakovë. Nuk dojmë pagë minimale nën 500 euro. Shko Albin se e duam familjen, fëmijët, çiftet e reja, dojmë me i përkrah” – u shpreh ai.
Haradinaj po ashtu i ka kërkuar Kurtit të shkojë në Prokurori Speciale për intervistim.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.