Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj | Foto: KALLXO.com

AAK dhe Nisma i gëzohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit për t’u formuar qeveria e re.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia e tij e mirëpret aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese dhe  ka ftuar të gjitha partitë politike të vazhdojnë “traditën e krijuar deri më sot në respektimin e aktgjykimeve të Kushtetueses”.

Sipas Limajt, aktgjykimi i sotëm i dha fund dilemës nëse Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të zgjedhë një qeveri tjetër nga partia e dytë pas mocionit të suksesshëm për rrëzimin e qeverisë apo jo.

“Aktgjykimi sotëm i Gjykatës Kushtetuese qartëson rrugët kushtetuese që duhet ndjekur për formimin e institucioneve, si dhe do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se e përshëndet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij i hap rrugë formimit të Qeverisë së re.

“Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar Haradinaj po ashtu në Facebook.

LDK-ja javë më parë kishte nënshkruar koalicion me AAK-në e Nismën për ta formuar Qeverinë e re.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata ka vendosur që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.