Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK cakton Daut Haradinajn kandidat për kryetar të Prishtinës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka bërë të ditur se vëllai i tij, Daut Haradinaj do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, në zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Haradinaj vëllanë e tij e ka përshkruar si një nga protagonistët kryesor të luftës për liri dhe shtetndërtimit.

“Udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion”, ka shkruar Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, me këtë kandidaturë, AAK-ja e konfirmon respektin për kryeqytetin, duke përmendur Ligjin për Prishtinën e kthimin e Pallatit të Rinisë të miratuara gjatë qeverisjes së tij.

“Aleanca konfirmon po ashtu, respektin për qytetarin dhe qeverisjen komunale, si dhe vendosmërinë për të fituar. Qeverisja në nivel komunal, është veprimi më i afërt për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka shkruar Ramush Haradinaj.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Pas konsultimeve të vazhdueshme, me kënaqësi ju njoftoj për kandidaturën e Aleancës për kryeqytetin.

Për Kryetar të Prishtinës, kandidat nga AAK do të jetë z. Daut Haradinaj. Ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion.

Me këtë Aleanca e konfirmon respektin për kryeqytetin, të cilin e bëri me ligj, ia ktheu Pallatin e Rinisë, e përkrahu me buxhet e projekte të shumta zhvillimore.

Aleanca konfirmon po ashtu, respektin për qytetarin dhe qeverisjen komunale, si dhe vendosmërinë për të fituar.

Qeverisja në nivel komunal, është veprimi më i afërt për të përmirësuar jetën e qytetarëve”.