Ilir Baldedaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A solli Haskuka ndonjë investim nga jashtë pas udhëtimeve të shumta?

Në përballje me Jeta Xharrën në serinë e debateve “Jeta në Komunë”, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është pyetur nga asamblisti i AAK-së, Ilir Baldedaj, se a ka sjellë ndonjë investim në qytetin e turizmit dhe kulturës pas shpenzimeve që i ka bërë gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

“Keni harxhuar mijëra euro për vizitat që i keni realizuar jashtë shtetit. Sa investime ia keni pru qytetarëve të Prizrenit? As 5 euro. Më tregoni me taksat e qytetarëve që i keni shpenzu në gjithë atë turizëm që e keni ba nëpër Perëndim“, ka thënë Baldedaj.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se nga bashkëpunimi ndërkombëtar në dy vitet e fundit janë mbi 1 milion euro bashkëfinancim.

Mirëpo, ai tha se nuk e di shumën e investimeve në aspektin privat apo na donatorë në Prizren.

Kurse, gjithashtu, Haskuka ka treguar në debat se Komuna e Prizrenit nga bashkëpunimi ndërkombëtar vitin e ardhshëm do të ketë investim afro 5 milionë euro në Prizren.

Në këtë debat Haskuka është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të pambajtura.

Të ftuar në studio pos kryetarit Haskuka janë edhe: Sherife Balaj- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Haziz Hodaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Mimoza Bushrani – Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Baldedaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Valon Xhabali- EC MA NDRYSHE, ndërsa në  ZOOM janë  Esen Kajmakçi – Përfaqësuese e grave në shoqatën e bizneseve ESNAF dhe Dafina Alishani, Lëvizja Vetëvendosje.