A pritet të vazhdojnë stuhitë në Kosovë, flasin nga Instituti Hidrometeorologjik

Moti i ligë me stuhi dhe reshje të dendura të shiut pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme në Kosovë.

Bashkim Kastrati, hidrolog në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se sot ishte një stuhi kalimtare e shoqëruar me rrebesh shiu dhe zbrazje rrufesh.

“Ky mot e ka përfshirë gjatë ditës së sotme pjesën më të madhe të  Ballkanit dhe një pjesë të Europës, pra edhe vendin tonë. Stuhi të tilla natyrisht mund të kenë sjellur vështirësi dhe vërshime të shpejta (kalimatare), por këto reshje nuk paraqesin probleme më të mëdha nëpër lumenj për me u paraqitë përmbytje”, është shprehur ai.

Sipas Kastratit, edhe gjatë ditëve në vazhdim do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shoqëruara me rrufe dhe mundësi të breshërit.

IHMK-ja ka theksuar se sa i përket temperaturave në të dy vlerat ekstreme, nuk parashihet të ketë ulje të ndjeshme, pasi minimalet do të jenë nga 15-17 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 24-27 gradë Celsius.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për motin e ligë këto ditë në Kosovë, i cili në disa qytete ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

(FOTO) Shiu dhe erërat e forta shkaktojnë dëme të mëdha në Obiliq

FOTO – Dëmet materiale nga stuhia e shiut në Gjilan