A po përbuzen rusët në Evropë pas luftës që nisi Putini në Ukrainë - VIDEO

Lufta në Ukrainë nuk ua ka bërë të lehtë jetën rusëve në Evropë.

Në një restorant në Berlin, pronari rus vuan nga dënimi kolektiv që i bëhet rusëve, raporton Deutsche Welle.

Restoranti prej dekadash ofron specialitete ruse për një klientelë mjaft besnike, por që nga pushtimi rus në Ukrainë, kanë pasur shumë anulime.

“Ne asnjëherë nuk e kishim menduar se mund të kishim probleme me kombësinë apo deklaratat politike për shembull. Këtu jemi në një vend plotësisht normal demokratik, jemi në Evropë dhe lufta është për në…nuk gjej fjalë ta them këtë”, tha pronari i restorantit, Ilja Kaplan.

Ai ka lindur në Rusi por jeton në Berlin që prej 30 vitesh. Kaplan ka shtuar se ka turp për atë që vendi i tij po i bën fqinjit, Ukrainës.

“Si rus? Unë nuk dua të ndihem si rus tani”, tha ai.