Fotografi: Avi Ohayon/dpa/GPO/picture alliance

A po injorohen përpjekjet e fundit të Bidenit për paqe në Lindje të Mesme?

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do ta bëjë përpjekjen e fundit për arritje të marrëveshjeve për t’iu dhënë fund luftërave në Gazë dhe Liban, por zgjedhja e Donald Trumpit mund ta lërë Uashingtonin pa mbështetje për ta bindur Izraelin dhe aktorët e tjerë rajonalë që ta marrin seriozisht përpjekjen e Bidenit para se Trumpi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, ka raportuar Reuters më 08.11.2024.

Zyrtarë të lartë amerikanë që kishin kaluar disa muaj në vajtje-ardhjet e tyre nëpër Lindje të Mesme për të negociuar ujdi paqeje, tani do të përballen me hezitim të zyrtarëve në rajon, duke preferuar që të presin inaugurimin e Trumpit në janar para se të mendojnë seriozisht për ndonjë plan të ri me administratën aktuale, kanë thënë disa burime të informuara dhe analistë të pavarur për Reutersin.

Trumpi është zotuar se do të kthejë paqen në Lindjen e Mesme, por nuk ka treguar sesi. Megjithatë, nëse mandati i tij i parë mund të merret si indikator, me gjasë do të ndjekë qasje më të fortë ndaj aleatit të fortë, Izraelit, duke shkuar madje përtej strategjisë së Joe Bidenit kundrejt aleatit të ngushtë në rajon.

Para kthimit të Trumpit në presidencë, Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se diplomacia amerikane do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe në Liban, duke ofruar asistencë humanitare dhe për zbatimin e politikave të Bidenit deri më 20.01.2025 kur do ta transferojë pushtetin te presidenca e Trumpit.

Por me Bidenin në fund të mandatit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe liderë e shteteve arabe me gjasë do të bëjnë pak për t’iu përshtatur kërkesave të presidentit të demokratëve dhe mbase do të presin ardhjen e republikanit në krye të Shtëpisësë Bardhë, politikat e paqëndrueshme të të cilit në mandatin e parë e kishin mbajtur në ankth rajonin e Lindjes së Mesme.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com