A po i kushtëzon Grenell investimet amerikane në Kosovë me heqjen e taksës?

I dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është shprehur përsëri kundër taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Grenell në një postim në ‘Twitter’ ka thënë se taksa duhet të hiqet që të ketë investime nga jashtë në Kosovë.

“Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenelli në Twitter.

Komenti i Grenell erdhi si reagim ndaj një postim në Twitter të Petrit Selimit, kryeshef për Kosovë i ‘Sfidave të Mijëvjeçarit’, korporatë qeveritare amerikane, i cili paralajmëroi se buxheti i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, parasheh investime tjera në Kosovë.

Grenell gjatë vizitës në Kosovë dhe përmes shkrimeve ka kërkuar që të largohet taksa.

Ai ka zhvilluar një komunikim në Twitter edhe me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli pasi që ky i fundit e kishte kritikuar Kurtin për zëvendësimin e taksës me parimin e reciprocitetit.

Ambasadori amerikan është deklaruar që Kosova të heq taksën por pa reciprocitet.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.

Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”.

Zotimi i Kurtit për heqjen e taksës – e cila është bërë shkak i bllokimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë – ka nxitur reagime të ashpra nga opozita në Kosovë.

Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë

Ambasada e ShBA-së: Pozicioni amerikan kundër taksës 100 për qind nuk ka ndryshuar