A po hezitojnë punëtorët shëndetësorë që ta marrin AstraZenecan?

Në Kosovë, në javën e parë të fillimit të imunizimit kundër koronavirusit, pak më shumë se 3.000 punëtorë shëndetësorëjanë vaksinuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë 15.000 punonjës shëndetësorë në sektorin publik dhe atë privat. Po ashtu, rreth 500 mjekë nga Kosova, në fund të marsit u vaksinuan kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë me vaksinën e AstraZenecas.

Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina, Kosova i mori falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një ditë më pas, i pari që u vaksinua ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Më pas, Kurti deklaroi se ai e mori i pari vaksinën pasi dëshironte që të inkurajonte qytetarët që të vaksinoheshin dhe që të hiqeshin dilemat rreth sigurisë së vaksinës të AstraZenecas.

Megjithatë, gatishmëria e punëtorëve shëndetësorë, të cilët janë paraparë që të parët ta marrin vaksinën, aktualisht nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti pohon se nuk ka dyshime në mesin e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë lidhur me vaksinimin dhe ai vlerëson se është ende herët që të nxirren përfundime të tilla.

“Mund të ishte më shumë (numri i punëtorëve shëndetësorë të vaksinuar), por ky është vetëm fillimi i procesit. Unë pres që në ditët në vijim, një numër më i madh njerëzish të aplikojnë për vaksinim, kryesisht nga sektori i shëndetësisë”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë..

“Dyshimet janë të vogla, ky është hapi i parë i këtij procesi. Natyrisht, jo të gjithë do të vaksinohen në ditën e parë ose të dytë”, u shpreh Hoti dhe shtoi se faza e parë e imunizimit do të zgjasë të paktën edhe për dy javë.

“Pas punëtorëve shëndetësorë, ne do të vazhdojmë të vaksinojmë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë”, shpjegon Hoti.

Plani shtetëror i vaksinimit në Kosovë është planifikuar që të zbatohet në tri faza.

Në fazë e parë, e cila tashmë po vazhdon, po vaksinohen punonjësit shëndetësorë dhe imunizimi i personave mbi 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike pritet të nisë më 8 prill.

Në fazën e dytë do të vaksinohen personat nga 65 deri në 79 vjeç, të sëmurët kronikë, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, që ishin të përfshirë në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në fazën e tretë, do të nisë vaksinimi masiv i qytetarët dhe është planifikuar që të imunizohen nga 50 deri në 70 për qind e popullatës.

Sejdiu: Punonjësit shëndetësorë po dërgojnë mesazh të keq te qytetarët

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se nuk e di se pse është numri kaq i ulët i punëtorëve shëndetësorë që janë vaksinuar deri më tani dhe shton se me siguri janë ngritur çështjet me “infomaninë” rreth vaksinës së kompanisë AstraZeneca.

Për shkak të disa raportimeve për mpiksje gjaku te personat që e morën vaksinën e AstraZenecas, disa shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, ndaluan përkohësisht administrimin e kësaj vaksine. Por, Agjencia Evropiane e Barnave tha më pas se kjo vaksinë ishte e sigurt për përdorim. Ndërkaq, OBSH-ja u ka bërë thirrje shteteve që të mos ndërpresin imunizimin me këtë vaksinë sepse nuk ka të dhëna që ia atribuojnë vaksinës rastet me mpiksje gjaku.

Sejdiu thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të vije në një përfundim se pse në mesin e mjekëve ekzistojnë paqartësi lidhur me imunizimin kundër koronavirusit, por ai thotë se e ka të paqartë edhe pse numri i të vaksinuarve deri më tani është kaq i vogël.

“Numri i ulët i të vaksinuarve në mesin e stafit shëndetësor dërgon një mesazh të keq te qytetarët e Kosovës, të cilët më pas pritet të vaksinohen”, tha Sejdiu.

Vaksinimi kundër koronavirusit po bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë si dhe në Qendrat rajonale të Mjekësisë Familjare, në disa komuna të Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti tha se Kosova është në negociata me kompaninë amerikane, Pfizer për sigurimin e vaksinave, por nuk ka treguar qartë se deri ku ka arritur ky proces.

Hoti shtoi se Kosova në fund të majit do të sigurojë edhe mbi 76.000 doza të AstraZenecas nga programi COVAX.

Që nga 13 marsi, 2020 deri më 6 prill, 2021, Kosova ka regjistruar 94.656 me COVID-19. Prej tyre, 1.934 kanë vdekur dhe 78.702 persona janë shëruar./REL