Merdare - Foto: KALLXO.com

A pati provokime edhe në Merdarë, flet zëvëndëskryeministri Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar para mediave pas kthimit të tij nga Serbia në Kosovë.

Ai ishte nisur për në Beograd për të marrë pjesë në një konferencë dyditore, në të cilën temë diskutimi ishin edhe raportet mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Bislimi tha se ka qenë e paraparë që të jetë pjesëmarrës në Forumin për marrëdhënie etnike në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile dhe nesër në Forumin e sigurisë së Beogradit, ku është dashur të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.

Mirëpo, Bislimi tha se gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur iu është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri apo siguria ka qenë e cenuar.

Gjatë ditës u raportua se provokime në drejtim të zëvëndëskryeminstrit ka pasur edhe në pikën kufitare në Merdarë.

Lidhur me këtë Bislimi tha se në Merdarë janë përballur me vonesa por që këtë nuk e cilësojnë si provokim.

Madje, Bislimi tha se vonesat në Merdarë më shumë shihen si provokim ndaj organizatorëve të Forumit.

‘Në Merdarë ka pasur vonesa dhe ka pasur deklarime se gjoja nuk do të lejohet një pjesë e vizitës meqë nuk qenka e paralajmërruar nga organizatorët me kohë. Ne nuk e kemi marrë këtë si provokim, më tepër ka qenë provkim ndaj organizatorëve mirëpo ata janë kujdesur që kjo të eliminohet menjëherë” – ka thënë Bislimi.

Tutje, numri dy i Qeverisë së Kosovës u pyet nëse një veprim i tillë nga ana e Serbisë lidhet me çështjen e targave të automjeteve.

Bislimi u përgjigj duke thënë se “ne tani vetëm mund të spekulojmë se çfarë qëllimi kanë pasur ata”.

Tutje, përgjigjes së tij ia shtoi edhe mendimin se Serbia ka treguar qasjen e tyre, duke thënë se nuk mund ta spekulojë prapavijën e kësaj ngjarjeje.

Bislimi këtë nuk e mendon të jetë arsyeja e vërtetë. Ai tha se arsyeja është diku tjetër, duke thënë se kjo ndodhi pasi ai ka pasur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve serbë t’i ofrojë versionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës.

“Jo, arsyeja është diku tjetër, për arsye se ne kemi pasur për qëllim që Beogradit edhe korit diplomatik por edhe qytetarëve atje t’i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës” – theksoi ai.

Ai tha se qytetarët në Serbi janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë.

Bislimi tha se duket që ka pasur edhe një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja e versionit të anës tjetër, pra versioni i Kosovës.

Tutje ai tha se ka qenë i paraparë që sot dhe nesër të marrë pjesë në takime ku është dashur të diskutohet për katër koncepte me rëndësi që përfshijnë marrëdhëniet ndëretnike, rrugëtimi drejt Evropës, siguria dhe dialogu Kosovë-Serbi.

“Sot edhe nesër unë kam qenë i paraparë që të jem pjesë e dy ngjarjeve me rëndësi në Beograd, fillimisht sot në tryezën e forumit për marrëdhënie etnike në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile ku është dashur të diskutohet për Kosovës dhe rrugëtimin drejtë Evropës kurse nesër në forumin e sigurisë së Beogradit ku është dashur të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi” – ka thënë Bislimi.