A mund t'u ndalohet qasja në rrjet telefonave të pazhdoganuar në Kosovë?

Miliona euro llogaritet të jetë dëmi që i shkaktohet buxhetit të Kosovës nga shmangia tatimore dhe moszhdoganimi i telefonave mobilë në Kosovë.

Vendi vazhdon të përballet me nivel të lartë të kontrabandimit të telefonave dhe materialeve të çmuara, të cilat buxhetit të shtetit po i sjellin humbje të mëdha financiare.

Lidhur me këtë dukuri dhe mundësinë e luftimit të saj përmes kufizimit të qasjes në rrjet të telefonave të pazhdoganuar në emisionin “Kallxo Përnime” po debatojnë zyrtarët e institucioneve kyçe për adresimin e kësaj problematike.

Murat Mehmeti, ushtrues detyre i shefit të Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës, ka treguar në emision skemën interesante të shmangies tatimore nga dyqanet e shitjes së telefonave.

Sipas tij, telefonat që nuk janë doganuar zakonisht mbahen jashtë lokaleve ose fshihen në mënyrë që të mos hasen nga kontrollet e inspektorëve.

“ATK-ja nuk është çdo herë e suksesshme në dyqanet e telefonave sepse shitësit e këtyre produkteve i mbajnë ato afër dyqanit ose në veturë, ata mbajnë vetëm disa mostra të zhdoganuara mirëpo ato nuk i shet mirëpo ta sjell tjetrin të pazhdoganuar”, tha Mehmeti.

Ai shtoi se kontrabandimi i tyre është i shpeshtë sepse produktet janë të vogla dhe me vlerë.

Lidhur me zhdoganimin e telefonave në emisionin “Kallxo Pernime” foli edhe përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Stavileci tha se në vend brenda vitit zhdoganohen mbi 55 mijë telefona përderisa e quajti të pamundshme luftën ndaj kësaj dukurie pa bashkëpunimin e të gjithëve.

“Prej vitit 2019 kemi rritje të numrit të zhdoganimit të telefonave, në atë vit kemi pasur 55 mijë telefona të zhdoganuar si copë, në 2020 ka ra ky numër në 52 mijë ndërsa në vitin 2021 ka qenë mbi 56 mijë. Lufta e Doganës ndaj kontrabandës së telefonave është e pamundshme vetëm prej nesh pa ndihmën e të tjerëve”, tha Stavileci.

Stavileci shtoi se ka pasur raste kur Dogana në çantën e një qytetari në aeroport ka gjetur mbi 50 telefona të cilët kishte tentuar t’i kontrabandonte.

“Telefonat mobilë hyjnë në atë gamën e mallrave lehtë të kontrabandushme, pasi kanë vlera të mëdha ndërsa paketime shumë të vogla, kemi gjetur njerëz në aeroport ku e ka vetëm një çante me 50 telefona, është shumë vështirë me i gjetë këto raste”, shtoi përfaqësuesi i Doganës.

Ai theksoi se Dogana e Kosovës ka pasur disa iniciativa për të bllokuar operimin e telefonave që nuk i paguajnë taksat doganore mirëpo asnjëra nga to deri me tani nuk ka shkuar deri në fund.

“Ne kemi pasur përpjekje vazhdimisht që të rrisim numrin e zhdoganimit të telefonave se ka humbur buxheti humbje të madhe, në vitin 2014 ka fillu iniciativa ku kemi marrë shembull Turqinë e cila e ka instaluar një softwer që të gjitha operatorët telefonikë me e instalu dhe që nuk e lejon  asnjë telefon të pazhdoganuar të futet në sistemin e valëve, mirëpo kërkesa jonë është klasifiku prej institucioneve si shkelje e të drejtave të privatësisë së njerëzve”, tha Stavileci.

Për tentativat e bllokimit të rrjetit për telefonat e pazhdoganuar foli edhe drejtoresha e zyrës ligjore në ARKEP, Rrezarta Ajeti.

Ajeti tha se ka qenë pjesë e disa grupeve punuese në të cilat është tentuar regjistrimi i IMEI-ve dhe bllokimi i valëve për telefonat që nuk janë të doganuar.

“Kemi pasur shumë përpjekje për me e regjistru IMEI, kam qenë pjesë e grupit punues ku kemi marrë për bazë rregullimin e Turqisë pasi nuk ka pasur ndonjë formë tjetër. Pasi është konstatu shkelje e privatësisë e kemi ndërpre punën ndërsa koncept dokumentin tonë e kishte marrë Shqipëria”, tha Ajeti.

Ajo shtoi se sistemi i Turqisë e ndalon qasjen në rrjetin e komunikimit për telefonat e pazhdoganuar.

“Në Turqi vetëm 120 ditë mundesh me e përdor telefonin, unë me qet telefon nëse shkoj në Bruksel mundem me nejt sa të dua ndërsa në Turqi jo se ta ndërpresin shërbimin sepse në momentin kur kyçesh në rrjet ai e ka një periudhe që te len me u regjistru”, shtoi Ajeti.

Kufizimin në rrjet për telefonat e pazhdoganuar e konsideroi të mirëseardhur drejtori i shitjes në Telekom, Kreshnik Domi.

Ai tha se vetë Telekomi si korporatë është i interesuar për ketë temë pasi kalimi i telefonave pa doganë e ka dëmtuar.

“Telekomi është i interesuar për ketë teme pasi na ka dëmtu edhe neve edhe operatorët e tjerë. Legalizimi i telefonave do të na mundësonte përmirësim të kualitetit, është një identitet i telefonit, klientët mund të bien pre e mashtrimeve me ble telefonat e klonum, fals, dhe mund të bien pre e mashtrimeve nëse se ka një burim ku e blen”, tha Domi.

Ai shtoi se përpos tjerash legalizimi i telefonave do të mundësonte përmirësim të kualitetit.