Kriptovaluta, Foto: Dogana e Kosovës/Facebook

A mund të prodhohen kriptovalutat me rrymë nga gjeneratorët privatë?

Në fund të vitit të kaluar, Kosova, si disa vende të rajonit, shpalli gjendje emergjente të energjetikës. E në fillim të këtij viti, Ministria e Ekonomisë nxori një vendim që ndalon prodhimin e kriptovalutave për shkak se është vlerësuar se pajisjet për to shpenzojnë sasi të madhe të energjisë.

Por, a mund të prodhohen monedhat digjitale duke përdorur gjenerator?

Luan Morina, drejtues i Komitetit Teknik për Masa Emergjente në Ministrinë e Ekonomisë tha se nuk e di aktualisht nëse një gjë e tillë është e mundur.

“Unë nuk kam përgjigje për këtë, nuk e di këtë çështje”, deklaroi Morina në emisionin “Kallxo Përnime”.

Por, ndryshe nga ai mendon Driton Azemi nga Dogana e Kosovës. Ai tha se nëse qytetarët zgjedhin energjinë alternative për prodhim të kriptovalutave, mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit për shkak të krizës energjetike, nuk është ilegal prodhimi i tyre për momentin, nuk është e ndaluar me ligj dhe si e tillë, nëse ata shfrytëzojnë energjinë alternative, nuk do të jetë problem, nuk është ilegale”, deklaroi ai.

Ai tha se në Kosovë ka biznese të cilat po e respektojnë vendimin e ekzekutivit kosovar. Ndërsa, tregoi një rast kur një qytetar pagoi faturën prej 8 mijë eurove në muaj për prodhim të kriptovalutave.

“Në një lokacion në Prishtinë,  120 pajisje të tilla kanë qenë të shkyçura, të zhdoganuara dhe e ka prezantuar faturën mujore që ka paguar rrymë deri në atë ditë 8 mijë euro. Për 120 pajisje ka paguar 8 mijë euro në muaj”, tha ai.