A mund të prekë coronavirusi edhe zorrën tuaj?

Irani është bërë një nga vatrat e koronavirusit jashtë Kinës në muajin mars, kur mijëra qytetarë të tij kanë nisur të shfaqin simptoma të sëmundjes COVID-19.

Por, tani, mjekët iranianë thonë se po shohin rritje të numrit të pacientëve me probleme gastrointestinale –më shumë se me probleme në frymëmarrje.

Në fakt, edhe provat e fundit mjekësore nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara tregojnë se ekziston një grup i pacientëve me koronavirus, që nuk shfaqin simptoma klasike të sëmundjes respiratore.

Është një fenomen që është duke u shqyrtuar nga studiuesit e mjekësisë në të gjithë botën.

“COVID-19 më herët kishte simptoma si: kollitja, vështirësitë në frymëmarrje dhe temperatura e lartë”, thotë Mohammad Reza Mahboubfar, epidemiolog viral në task-forcën e Iranit kundër koronavirusit.

“Këto simptoma janë vërejtur në dy muajt e parë pas shpërthimit, por tani simptomat më të rëndësishme të COVID-19 janë gastrointestinale”, thotë ai.

Raste të tronditjeve në tru në Iran –edhe në mesin e fëmijëve –i janë atribuuar po ashtu koronavirusit.

“Mungesa e oksigjenit dhe inflamacioni që vjen nga COVID-19 mund të rezultojnë me trombozë në arterie dhe tronditje në tru”, thotë Mahmoud-Reza Ashrafi, profesor i mjekësisë në Universitetin e Shkencave Mjekësore në Teheran.

Doktor Martin Veysey, drejtor i programit të Shkollës Mjekësore Hull York në Britaninë e Madhe, thotë se nuk ka dyshim se koronavirusi mund të sulmojë zorrën tuaj, si dhe mushkëritë tuaja.

“Molekula që sulmon virusi në trupin tonë –Enzima Konvertuese Angiotensin 2 ose ACE2 – është e pranishme jo vetëm në mushkëritë tona, por edhe në traktin tonë gastrointestinal“, thotë Veysey.

“Kjo mund të jetë arsyeja që qëndron prapa numrit të konsiderueshëm të rasteve të pacientëve, që tregojnë simptoma gastrointestinale, si diarre dhe të vjella”, shton ai.

Në fakt, vëzhgimet e fundit të rasteve gastrointestinale nga ekspertët iranianë vijnë në vazhdën e provave nga Kina, të botuara nga revistat mjekësore britanike: The Lancet dhe Gut.

Një studim në Gut ka arritur në përfundimin se virusi është shfaqur në rreth gjysmën e mostrave të jashtëqitjes, të mbledhura nga pacientët me koronavirus.

Përfundimi nga ekspertët mjekësorë është se pista gastrointestinale është një mënyrë tjetër e mundshme që njerëzit të infektohen dhe të transmetojnë sëmundjen.

Është një zbulim që ngjall shqetësime të mëdha për shëndetin publik në zonat me mungesë të infrastrukturës adekuate të ujërave të zeza dhe kanalizimeve.

Në Lancet, studiuesit konkludojnë se është e mundur që COVID-19 të përhapet përmes jashtëqitjeve të kontaminuara, në të njëjtën mënyrë që transmetohen edhe dizenteria dhe poliomeliti.

Megjithatë, ajo që nuk dihet është se sa kohë mbijeton koronavirusi në jashtëqitje.

Kjo është një çështje që studiuesit mjekësorë vetëm sa kanë filluar ta studiojnë./REL