Foto: Parlamenti i Britanisë së Madhe, Jessica Taylor

A mund të përpiqet Rusia t’i vrasë zyrtarët britanikë?

Mjafton t’i dëgjosh fjalët e Dmitry Medvedev, ish-presidentit rus dhe bashkëpunëtorit afatgjatë të Vladimir Putinit, për të kuptuar se sa larg ka devijuar Rusia nga rrethi i kombeve të qytetëruara.

Dmitry Medvedev kohët e fundit e ka bërë zakon ta tejkalojë madje edhe shefin e tij sa i përket retorikës së gjakderdhjes. Retorika e tij e fundit është tipike: një kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën e zyrtarëve britanikë. Britania, deklaroi ai, po bën një “luftë të pashpallur” ndaj Rusisë përmes mbështetjes së saj për Ukrainën, dhe për shkak të kësaj të gjithë zyrtarët britanikë tani janë bërë “objektivë legjitimë”.

Fjalët tmerruese të Dmitry Medvedev mund të mos jenë kërcënim koti. Rusia ka një histori të gjatë vrasjesh – ose përpjekjesh për të vrarë – si disidentët e saj që jetojnë jashtë Rusisë në mërgim, ashtu edhe banorët e huaj që kanë guxuar të mos i pëlqejnë liderët në Kremlin.

Në fakt, ashtu sikurse ish-presidenti lëshoi kërcënimet e tij, propagandistja pro-Putin TV Olga Skabeyeva, e mbiquajtur ‘Kukulla e Hekurt’ për mbështetjen e saj pro luftës, bëri një referencë të drejtpërdrejtë në një atentat të tillë – përpjekjen e gabuar të Moskës për ta vrarë ish- agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia duke përdorur agjentin nervor Novichok në Salisbury në mars 2018.

Olga, e cila është e martuar me politikanin pro-Putin dhe nikoqirin e tij televiziv, Yevgeny Popov, tha se dëshironte ta shihte majën e katedrales së Salisbury-t të bie mbi kokën e Sekretarit të Jashtëm James Cleverly dhe ta shponte atë. Ajo po fliste për arsyetimin absurd të ofruar nga dy vrasësit e mundshëm të Skripalëve, agjentët e inteligjencës ushtarake Alexandër Mishkin dhe Anatoliy Chepiga për ta shpjeguar praninë e tyre në Salisbury atë ditë.

Njohësit e historisë së gënjeshtrave zyrtare ruse nuk do të kenë nevojë të besojnë arsyetimin se të dy burrat e lartcekur thjesht kishin qenë në Salisbury si turistë për të parë majën e famshme të katedrales së qytetit dhe jo në një mision për t’i vrarë Skripalët.

Rusia e Putinit jo vetëm që i përdor vrasjet shtetërore si instrument politikash, por edhe bën shaka dhe mburret me to. Në të njëjtën kohë, mbështetësit hipokritë të luftës së Putinit ankohen dhe rënkojnë kur disa dronë e godasin Moskën – me sa duket të pavëmendshëm ndaj bombardimeve vdekjeprurëse të lëshuara në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, duke vrarë civilë në baza ditore.

Krimet e invazionit rus që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës e kanë bërë tashmë Putinin personalisht të paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për rrëmbimin e mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi – një mizori e paprecedentë në Evropë që nga rrëmbimet masive të kryera nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore sipas programit të tyre Lebensborn.

Duke u betuar hapur dhe duke u mburrur për krimet e tyre të ngjashme në mënyrë kaq të paturpshme, Putini dhe apologjetët e tij po e demonstrojnë gatishmërinë e tyre për t’i sfiduar normat dhe rregullat që e kanë qeverisur sjelljen e kombeve të qytetëruara që nga shekulli i 19-të – të sigurtë me besimin se ata asnjëherë nuk do të mbahen përgjegjës. Këto fjalë të sëmura dhe kërcënime të egra duhen trajtuar me përbuzjen që meritojnë./The Spectator

Përgatiti: Nuhi Shala