A mund të nuklearizohet lufta në Ukrainë?

Gjashtëdhjetë vjet pas krizës së raketave kubane, bota përsëri shqetësohet për luftën bërthamore.

Gjashtëdhjetë vjet më parë bota ishte dëshimitare e një kataklizmi bërthamor. Kriza kubane e raketave filloi në tetor të vitit 1962 kur Amerika zbuloi raketa bërthamore sovjetike në Kubë. SHBA bllokoi ishullin dhe debatoi për pushtimin e tij. Sovjetikët u dorëzuan, duke i larguar armët e tyre bërthamore; Amerika po ashtu largoi fshehurazi raketat e saj me koka bërthamore nga Turqia. Asgjësimi i ndërsjellë u evitua.

Kujtimet e atyre kohërave të tmerrshme po ringjallen nga lufta në Ukrainë. Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, ka paralajmëruar vazhdimisht se ai mund të përdorë armë bërthamore. Më 21 shtator ai tha se do t’i përdorte “të gjitha sistemet e armëve në dispozicion” për ta mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë – duke përfshirë të gjithë tokën ukrainase që ai po e anekson përmes referendumeve të rreme. “Nuk është bllof”, tha Putin. Në përgjigje, Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i Amerikës, e paralajmëroi ashpër Rusinë për “pasoja katastrofike” nëse përdor armë bërthamore.

Kështu, bota përballet me atë që mund të jetë periudha më e keqe e rrezikut bërthamor që nga Kuba, thotë Daryl Kimball i Shoqatës së Kontrollit të Armëve, një grup lobi amerikan. Komentatorët rusë kanë tërhequr paralele të qarta midis krizave. Të dyja u shkaktuan nga pasiguria e provokuar nga zgjerimi i një rivali “drejt në pragun e vendit të vet: Kuba atëherë, Ukraina tani”, shkruan Dmitri Trenin, analist rus, në faqen e internetit shtetërore rt.

Këtë herë, megjithatë, gjërat janë të ndryshme në disa mënyra të rëndësishme. Kriza kubane zgjati 13 ditë. Lufta në Ukrainë i ka tejkaluar më shumë se 200 ditë dhe mund të zgjasë edhe me qindra ditë të tjera. Në Kubë, vetë armët bërthamore ishin thelbi i çështjes. Në Ukrainë, ato janë një mburojë për ta mbrojtur një pushtim të tokës ruse. Dhe natyra e kërcënimit ka ndryshuar me fatin e Rusisë në fushëbetejë. Në fillim, zyrtarët perëndimorë u shqetësuan për përshkallëzimin bërthamor që rezulton nga suksesi rus. Nëse do ta merrte Ukrainën, a mund të shtynte më tej në shtetet baltike apo t’i godiste depot e NATO-s që furnizonin me armë forcat ukrainase? Kjo mund të kishte çuar në një luftë konvencionale, e cila mund të ishte përshkallëzuar në një luftë bërthamore.

Tani shqetësimi është për dështimet ruse. Trupat ukrainase kanë rimarrë mijëra kilometra katrorë territor; një mobilizim ushtarak në Rusi i ka shtyrë qindra mijëra rusë të protestojnë ose të ikin. Në vitet 1960 as John F. Kennedy dhe as Nikita Hrushovi, udhëheqësit amerikanë dhe sovjetikë nuk e donin një luftë bërthamore. Tani, disa shqetësohen se një Putin i dëshpëruar mund të të joshet me faktin armët bërthamore mund të ndihmojnë në kthimin e fatkeqësisë së tij.

Kriza e raketave kubane kishte të bënte kryesisht me armët bërthamore “strategjike” – lloji më i madh, i projektuar për t’i zhdukur qytetet armike larg fushëbetejës. Çështja në Ukrainë sillet kryesisht rreth llojit jostrategjik ose “taktik”. Këto janë me rreze më të shkurtër dhe fuqi shpërthyese më të ulët. (Shumë janë megjithatë më të fuqishme se bombat atomike të përdorura kundër Japonisë në Luftën e Dytë Botërore).

SHBA dhe Bashkimi Sovjetik dikur mbanin arsenale të mëdha kokash taktike për t’u përdorur kundër ushtrive të njëri-tjetrit në fushat e Evropës. Në dekadat pas Luftës së Ftohtë, NATO hoqi dorë nga të gjitha, rreth 200 të rezervave të saj, duke arritur në përfundimin se armët konvencionale të drejtuara me saktësi mund ta bënin punën më lirë dhe me më pak komplikime. Forcat e armatosura ruse mbajtën deri në 2000 apo më shumë sosh. Armët bërthamore mund t’i kompensojnë forcat më të dobëta konvencionale. “Bilanci i fuqisë ka më pak rëndësi sesa gatishmëria për t’i përdorur armët bërthamore”, thotë Francis Gavin, historian në Universitetin Johns Hopkins. 

Ekspertët i shohin tri mënyra kryesore në të cilat Rusia mund të përdorë një armë bërthamore: një “të shtënë demonstrimi” që nuk vret askënd; një sulm në Ukrainë; dhe një sulm ndaj NATO-s. Rusia mund të fillojë në “shkallën e përshkallëzimit” duke kryer teste bërthamore, ose nëntokësore ose, në mënyrë më dramatike, në atmosferë. Kjo mund të jetë mbi Detin e Zi ose lart mbi vetë Ukrainën, duke i shmangur vdekjet, por duke shkaktuar një puls elektromagnetik që do të skuqte pajisjet elektrike. Por nëse Ukraina do të vazhdonte të luftonte pavarësisht demonstrimeve, Rusia do të pësonte përçmim global pa përfitime ushtarake.

Gjeneralët rusë mund të preferojnë t’i godasin drejtpërdrejt objektivat ushtarake, jo vetëm sepse ushtria ruse ka mungesë të fuqisë njerëzore dhe materiale. Objektivat mund të përfshijnë fushat ajrore të Ukrainës, qendrat logjistike dhe përqendrimet e artilerisë, thotë Ben Barry nga Instituti Ndërkombëtar britanik për Studime Strategjike. Megjithatë, forcat e Ukrainës janë kryesisht të shpërndara dhe ushtritë mund të jenë çuditërisht elastike. Një studim që shqyrton një luftë hipotetike midis Indisë dhe Pakistanit vlerësoi se një bombë prej pesë kilotonesh (rreth një e treta e madhësisë së asaj të hedhur në Hiroshima) do të rrëzonte vetëm 13 tanke nëse do të përhapeshin gjerësisht. Barry mendon se katër armë taktike do të nevojiteshin për ta neutralizuar një brigadë ukrainase (afërsisht 3,000-5,000 ushtarë) edhe nëse ajo ishte e përqendruar për një ofensivë.

Në mënyrë akoma më shkatërruese, Rusia mund të zgjedhë të sulmojë një qytet ukrainas për ta detyruar një dorëzim. Por kjo ngre mundësinë e një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të NATO-s dhe shkatërrimit të ushtrive ruse. Një sulm bërthamor ndaj NATO-s do të ishte një propozim potencialisht vetëvrasës, duke pasur parasysh se tre nga anëtarët e saj – Amerika, Britania dhe Franca – kanë armët e tyre bërthamore.

Taktikat dhe strategjia

Çdo opsion, me fjalë të tjera, vjen me dobësi të mëdha. “Është shumë e vështirë që kërcënimet bërthamore të funksionojnë,” vëren Eric Edelman, ish-nënsekretar për politikën në Pentagon. Ndonjëherë gjatë luftës së ftohtë – në luftën koreane, për shembull – Amerika luajti me përdorimin e armëve bërthamore, por vendosi kundër saj si moralisht të neveritshme, të padobishme ushtarakisht ose të rrezikshme.

Mirëpo, reagimi ndaj kërcënimeve bërthamore është gjithashtu i vështirë. Parandalimi mbështetet në një paqartësi të madhe. Zyrtarët amerikanë nuk do ta thonë publikisht se çfarë nënkuptojnë me “pasoja katastrofike”, megjithëse kjo nënkupton rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Amerikës. Por ata pretendojnë se kanë qenë të qartë në paralajmërimet private drejtuar Kremlinit dhe u kanë thënë gazetarëve se përgjigja ka të ngjarë të jetë konvencionale, jo bërthamore. Duke vepruar kështu, ankohet Edelman, “ata po e minojnë kërcënimin parandalues”.

Paralajmërimet e Amerikës kanë për qëllim Rusinë, aleatët e Amerikës dhe publikun amerikan. Duhet parë për ta marrë seriozisht kërcënimin, por jo për t’u frikësuar; duhet të përgjigjet në një mënyrë të paqartë por të besueshme. Çfarëdo që të ndodhë me Rusinë do të ndikojë në konkurrencën e saj me Kinën, jo më pak mbi Tajvanin. Deri më tani, Presidenti Joe Biden është përpjekur t’i balancojë dy parime: ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet, por ta shmangë një luftë të tretë botërore. Nëse rusët i shpërthejnë aktivizojnë bërthamore, ai ka thënë se përgjigja do të varet “nga shkalla e asaj që ata bëjnë”.

Një opsion do të ishte grumbullimi i më shumë presionit ekonomik mbi Rusinë, ndoshta përmes sanksioneve dytësore ndaj atyre që blejnë naftën dhe gazin e saj, me shpresën për ta kthyer Putinin në një person non-grata ndërkombëtarisht. Amerika mund t’i shtyjë Indinë dhe Kinën ta izolojnë Rusinë. Të dyja këto vende e kanë sinjalizuar në mënyrë të zhdrejtë mosmiratimin e sjelljes së saj në luftë. Mirëpo India mbështetet tek Rusia për armë dhe Kina e sheh atë si një kundërpeshë të dobishme për Amerikën.

Një tjetër opsion do të ishte që Perëndimi ta ndihmonte Ukrainën të luftojë në një fushëbetejë bërthamore, duke ofruar këshilla, pajisje mbrojtëse dhe pajisje dekontaminimi. Gjithashtu mund ta furnizojë me armë më të avancuara – të tilla si tanke të prodhimit perëndimor, avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë – që deri më tani janë konsideruar shumë shkallëzuese. Në anën tjetër, Amerika, Britania ose Franca mund të përgjigjen me një sulm të kufizuar bërthamor të tyre. Por kjo rrezikon një luftë më të gjerë bërthamore – dhe Rusia ka më shumë armë bërthamore taktike sesa rivalët e saj perëndimorë.

Mënyra e ndërmjetme – një përgjigje ushtarake konvencionale – është më e mundshme. Kjo mund ta përfshijë vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë ose kryerjen e sulmeve të drejtpërdrejta ndaj objektivave ruse. Amerika mund, për shembull, t’i shkatërrojë portet, bazat ajrore ose raketat e lëvizshme të përdorura në çdo sulm bërthamor rus. Ben Hodges, gjeneral në pension që dikur i komandonte forcat tokësore amerikane në Evropë, sugjeron fundosjen e flotës ruse të Detit të Zi ose shkatërrimin e bazave të saj në Krime.

Putini, megjithatë, mund ta ngrejë bastin. Ai mund ta nisë një kundërsulm kundër objektivave të krahasueshëm – të themi, luftanijeve amerikane në Mesdhe ose objekteve ushtarake në tokën e NATO-s. Me fjalë të tjera, edhe një përgjigje konvencionale mund të sjellë lehtësisht një konflikt të drejtpërdrejtë Nato-Rusi, me rrezikun e saj të një lufte bërthamore.

E gjithë kjo ngre pyetjen: a do të rrezikonte vërtet Amerika të tilla rreziqe për hir të Ukrainës, e cila nuk është një aleate ushtarake formale? Barack Obama, i cili si president refuzoi ta armatoste Ukrainën, argumentoi se Rusia, në fund, kujdesej më shumë për Ukrainën sesa Amerika, duke thënë se “ne duhet të jemi shumë të qartë se cilat janë interesat tona thelbësore dhe për çfarë jemi të gatshëm të futemi në luftë.”

Ata që e favorizojnë qëndrimin në krah të Ukrainës ofrojnë dy përgjigje. E para është se rreziqet janë më pak të thekshme nga sa duken. Rusia nuk është në gjendje ta bëjë një luftë konvencionale kundër Amerikës dhe 29 aleatëve të saj të NATO-s; një luftë bërthamore do ta rrezikonte shkatërrimin total të të dyja palëve. Reagimi i dytë është se rreziqet ia vlejnë. Lejimi i Rusisë për ta përdorur shantazhin bërthamor që të pushtojë territor do t’i inkurajonte autokratët kudo që të bëjnë të njëjtën gjë. “Kjo do të ishte një botë e tmerrshme për të jetuar..

Tani për tani, për lehtësimin e madh të të gjithëve, frenimi është duke u mbajtur. Putin nuk ka përdorur armë bërthamore, as NATO nuk po lufton në Ukrainë. Amerika thotë se nuk ka parë asnjë provë se Rusia po përgatit armët e saj bërthamore për përdorim. Amerika dhe Rusia po vazhdojnë të shkëmbejnë informacione për arsenalet e tyre strategjike përkatëse.

Për Max Hastings, autor i “Abyss”, një histori e re e krizës kubane, mësimi kryesor i vitit 1962 vlen edhe për vitin 2022: “Kini frikë”. Ajo që shmangi një kataklizëm ishte frika e Kenedit dhe Hrushovit nga lufta bërthamore. Suksesi i Amerikës ishte produkt i përzierjes së matur të vendosmërisë dhe gatishmërisë së Kenedit për të bërë kompromis privatisht. Kjo sugjeron që Perëndimi duhet të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet, ndërkohë që “duke e ditur se diku përgjatë vijës ndoshta do të përfundojë me një marrëveshje të ndyrë” për t’i dhënë fund luftës, argumenton Hastings.

Problemi është se, për momentin, Putini është duke ngritur bastet, jo duke kërkuar një marrëveshje. Aneksimi i tij i territorit ukrainas dhe mobilizimi i trupave shtesë rrezikon ta ngrejë një “operacion special ushtarak”, i cili mund të përfundojë sa herë që ai dëshiron, në një luftë për tokën ruse, të cilën ai duhet ta fitojë ose ta humbasë. Ndryshe nga udhëheqja kolektive sovjetike e vitit 1962, e cila imponoi një farë moderimi, vartësit e Putinit duken të pafuqishëm për ta frenuar atë. Ai e ka barazuar prej kohësh sundimin e tij me ekzistencën e Rusisë. Në vitin 2018, ai foli me terma thuajse mistike për përdorimin e armëve bërthamore për ta mbrojtur Rusinë: “Ne, viktimat e agresionit, si martirë, do të shkojmë në parajsë, ndërsa ata thjesht do të vdesin sepse nuk do të kenë kohë as të pendohen”. Kështu bota shikon teksa po shpaloset një krizë tjetër bërthamore: a do t’i zvogëlojë Putini humbjet e tij, do të luftojë apo do të marrë përsipër rrezikun më të madh nga të gjitha?/The Economist