A mund të ndiqet penalisht qytetari që ironizoi me deklaratën e ministres Albulena Haxhiu?

Paralajmërimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se do të denoncojë në Polici një qytetar, i cili ironizoi përmes një statusi në Facebook rreth temës së dhunimit seksual, nuk mund të ndiqet penalisht.

Kjo pasi Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka garantuar lirinë e shprehjes në nenin 40.

“Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë” – theksohet në nenin 40 të Kushtetutës.

Madje këtë e ka konfirmuar nëpërmjet një komenti edhe avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se një status i tillë i qytetarit nuk mund të konsiderohet vepër penale.

“Statusi po tingëllon rëndë, shumë rëndë, po nuk është vepër penale” – komentoi Koci në postimin e ministres Haxhiu në Facebook.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj komenteve “tallëse” ndaj fëmijëve të dhunuar dhe për këto komente ka paralajmëruar se do të raportojë një qytetar në Polici.

Paraprakisht, ministrja Haxhiu, dje nëpërmjet një statusi në Facebook njoftoi se një prind i një 14-vjeçarjeje ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë se ndaj vajzës së tij ka pasur tentim dhunimi. Sipas ministres, i dyshuari përsëri është i lirë.

“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë!” – tha Haxhiu në status.

Këtë status të Haxhiut një komentues e ktheu në objekt shakaje. Kjo bëri që ministrja të reagojë.

“Në vitin 2000, moshën 14 vjeçare më kanë dhunuar seksualisht, dy gra në një dasmë! Prokuroria i ka lënë të lirë, sot e asaj ditë enden të lira duke kërkuar viktimat fatkeqe të radhës!” – thotë komentuesi.

E për këtë deklaratë të tij, Haxhiu ka paralajmëruar se do ta raportojë në Polici që të ndiqet penalisht.

“Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici!” – tha Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë reagoi sërish me një status tjetër duke dënuar “normalizimin e talljes me tema të tilla”.

“Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq. Relativizmi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t’i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim!” – shkroi ajo në Facebook.