A mund të keqpërdoren fëmijët nga grupet ekstremiste?
Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar emisioni që po trajton çështjen e huliganizmit dhe të ekstremit të djathtë.
Temë diskutimi e penalistëve është edhe ndeshja e Kosovës me Rumaninë që u zhvillua më 06.09.2024.
Problematike gjatë kësaj ndeshjeje, përpos thirrjeve të shumta e përdorimit të fishekzjarreve, ishte edhe futja e disa personave brenda fushës së sportit.
Njohësi i fushës së ekstremizmit të dhunshëm, Vehbi Mujku, tha se situata në ndeshjen me Rumaninë ka qenë hera e parë që Kosova është përballur me një situatë të tillë, e që sipas tij siguria gjatë kësaj ndeshjeje do duhej të ishte maksimale.
“Punëtorët e sigurimit kanë qenë shumë të moshuar” – ka thënë Mujku, duke shtuar se ka qenë e lehtë për fëmijët apo personat e mitur të futen brenda në fushë.
Ai shtoi se veprimet e këtyre fëmijëve shiheshin nga disa pjesëmarrës edhe nga vetë ata që kryenin veprën si një heroizëm, duke shtuar se për njohësit e ekstremizmit veprime të tilla mund të shihen si sjellje të pahijshme që mund të shpiejnë edhe më tutje.
Mujku tha se është e rëndësishme të shihet se kush qëndron prapa këtyre fëmijëve që bënë veprime të tilla, duke u trajtuar të njëjtit edhe me punëtorë socialë e me ta të merren edhe prokuroritë.
“Unë sa kam arritë me i numëru kanë qenë rreth pesë fëmijë që kanë hyrë në fushë, dikush më thell fushës e dikush jo” – tha Mujku.
Sipas tij, motivimi i fëmijëve që të bëjnë veprime të tilla në situata të caktuara i bën fëmijët që të ndihen të aftë dhe të fuqishëm që të dalin para masave, duke bërë kështu që në të ardhmen edhe të radikalizohen apo të bëhen edhe pjesë e grupeve ekstreme.
Në anën tjetër Skender Perteshi, njohës i sigurisë nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë, tha se futja e fëmijëve apo edhe personave të tjerë në fusha të futbollit apo ndonjë sporti tjetër ndodh edhe në vende të tjera të botës, e sipas tij ky nuk është problem.
“Më shqetësuese në këto raste janë dy aspekte. Aspekti i parë është se si është i rregulluar sistemi i sigurisë brenda organizmit të lojërave apo koncerteve dhe e dyta personat që kujdesen për sigurinë a u nënshtrohen testeve të përsëritura për të qenë të paktën në standardet e BE-së për ruajtjen e sigurisë në eventet e tilla” – tha Perteshi.
Sipas tij, mekanizmat ligjorë për dënimin e edhe për trajtimin e rasteve të tilla ekzistojnë në Kosovë, por që të njëjtat sipas tij mbesin vetëm në letër.