Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

A mund ta përsërisë edhe një herë historinë filmi “Zgjoi”?

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit bëri histori për herë të parë kur u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance në vitin 2021 dhe u bë filmi i parë që fitoi tri çmimet më të mira në Konkursin Botëror të Kinemasë Dramatike: Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Regjisë dhe Çmimin e Publikut.

Një vit më vonë, dhe debutimi artistik i kineastes kosovare është filmi i parë nga vendi më i ri i Evropës që hyn në listën e ngushtë prej 15 titujsh që konkurrojnë për çmimin e Akademisë për Filmin më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë. Dhjetorin e kaluar, Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus hynë në film si producente ekzekutive me kompaninë e tyre “Love & Squalor Pictures”, duke i dhënë atij një shtysë vendimtare në fushatën e tij për Oscar.

Zgjoi është një histori e paharrueshme, elokuente, prekëse për vullnetin e mbijetesës dhe fuqizimit përmes një vizioni të palëkundur”, thanë ata në një deklaratë të botuar fillimisht nga Deadline. “Portretizimi intim i luftës së një gruaje drejt pavarësisë në film na shtyn ta kuptojmë mundësinë për ndryshim dhe narrativa e fuqishme e Blertës kap me mjeshtëri vendosjen e individëve në të gjithë botën për ta tejkaluar shtypjen”.

Bazuar në një histori të vërtetë, filmi ndjek Fahrijen (Yllka Gashi), e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj, ka jetuar me shpresë të venitur dhe pikëllim në rritje prej kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Për të siguruar familjen e saj në vështirësi, ajo mbledh të vejat e tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes që shet një produkt ushqimor vendas, pavarësisht rezistencës nga shoqëria thellësisht patriarkale.

“Në vend që t’i dorëzohej dëshpërimit, Fahrije Hoti vendosi t’i fshijë lotët dhe të vazhdojë tutje. Sa herë që hasnim në vështirësi gjatë realizimit të filmit, mendoja për të. Ajo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë modeli im për të vazhduar tutje dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë”, thotë Basholli.

Regjisorja boshnjake Jasmila Žbanić, filmi i së cilës ‘Quo Vadis, Aida?’ ishte në pesëshen finale të çmimeve Oscars vitin e kaluar dhe së fundi mori pjesë në çmimet EFA, ka deklaruar: “Bukuria dhe forca e këtij filmi qëndron në faktin se regjisori, aktorja dhe i gjithë ekipi arrijnë të tregojnë të padukshmen, apo, thënë më mirë, të pathënën. Sikurse një zgjua, filmi vibron brenda jush për një kohë të gjatë pasi t’a keni parë atë.”

Që nga triumfi në festivalin e filmit Sundance, Zgjoi ka fituar më shumë se 15 çmime festivalesh, përfshirë çmime në Varshavë, Hamburg, Montpellier, Berkshire, Osnabrück, Herceg Novi, Prishtinë dhe Cinedays Shkup, ndërkohë që Yllka Gashi fitoi çmimet e aktores më të mirë në Valladolid dhe Scottsdale.

Ndërkohë, agjenti i saj ndërkombëtar i shitjeve, LevelK, e ka shitur atë pothuajse kudo në botë: nga Australia dhe Zelanda e Re në Kinë, Amerikën Latine dhe Karaibe, si dhe Kanada dhe ShBA, ku shpërndahet nga Zeitgeist Films në bashkëpunim me Kino Lorber. Të drejtat janë marrë gjithashtu në shumicën e territoreve evropiane, si dhe në Turqi dhe Izrael./Cinaeuropa.org