Faruk Rexhaj - Zv.kryeshef ekzekutiv i KPM-së

A mund media të publikojë informacione sekrete?

Një informacion i klasifikuar ditë më parë u publikua në mediat në Shqipëri.

Lajmi, që fillimisht u publikua nga “A2 CNN“, fliste për një atentat të mundshëm ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Haxha.

Lajmin e konfirmoi edhe Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi.

Pas publikimit, pati shumë reagime ndërsa Prokuroria në Tiranë urdhëroi mediat që mos t’i publikojnë informacionet që dyshohet se janë hakuar nga iranianët dhe janë publikuar në rrjetin social Telegram.

Por, si është e rregulluar kjo çështje në Kosovë? A mund media t’i publikojë informacionet të cilat konsiderohen sekrete shtetërore?

Faruk Rexhaj, zëvëndësues i kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave ka thënë se çështja e publikimit të materialeve të ndjeshme është e rregulluar me ligj.

“Në KPM është ligji dhe aktet nënligjore ku parashihen disa pjesë se çfarë mund të publikohet e çfarë jo. Kodi i Etikës thotë që materialet e ndjeshme që e cenojnë sigurinë e vendit ose krijojnë trazira ose diçka të ngjashme, është e ndaluar që të publikohen në media” –  tha ai në “Kallxo Përnime”.

“Këtë e vlerësojnë ekspertët brenda KPM-së që e vlerësojnë një gjë të tillë. Së fundmi, ne kemi pezulluar transmetimin e kanaleve ruse në territorin e Kosovës, media duhet të ketë kujdes në publikimin e një lajmi, sepse kemi të bëjmë me një shtet jo mik” – tha tutje ai.