Automjeti për trazira, Foto: Policia e Kosovës

A kishte paralajmërime për trazira më 17 shkurt 2008?

Në ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, policia ishte përgatitur për shumë gjëra që mund të ndodhnin.

Ish-komandanti i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti është shprehur në emisionin “Kallxo Pernime” se ka pasur njoftime se mund të ketë tensione në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

“Njoftimet kanë qenë që mund të ketë tensione në kuptimin e asaj dhe pa dyshim që na është dashtë me qenë të kujdesshëm sepse kemi qenë të vetëdijshëm në çfarë rrethana po shpallet pavarësia e vendit”, tha Ahmeti

Sipas tij, një ndër paralajmërimet ka qenë edhe për largimin e pjesëtarëve të shërbimit policor të Kosovës nga komuniteti serb.

“Unë kam pasur edhe njoftimin me kohë se pjesëtarët e shërbimit policor të Kosovës të komunitetit serb do ta braktisin shërbimin. E kemi ditë, kemi pasur sinjale dhe kjo ndodhi vërtetë ashtu. Qysh më herët ne kemi bërë planifikim edhe me mungesën e tyre dhe mbulimin e atyre pjesëve ku është shumica serbe dhe në aspektin e sigurisë atë element e kemi pasur parasysh”, u shpreh ai.

Ahmeti tha se policia për atë ditë ishte përgatit për skenarë të ndryshme.

Sipas tij,  në atë kohë kur qytetarët e vendit ishin duke manifestuar mund të krijohej ndonjë rrethanë e pakëndshme.