Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë.

A kërkoi Thaçi të dërgohet për arrest shtëpiak në Slloveni, flasin nga Specialja dhe qeveria sllovene

Para disa ditëve mediat sloovene raportuan se mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale ka kërkuar që ai të dërgohet në arrest shtëpiak në Slloveni.

Thaçi është në mesin e të akuzuarve të tjerë, ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por Gjykata Speciale nuk ka dhënë përgjigje të saktë nëse është bërë kjo kërkesë ose jo. Ndërsa Qeveria e Sllovenisë nuk ka pranuar të komentojë kërkesën e mundshme.

Fillimisht, në një përgjigje për KALLXO.com, Specialja ka deklaruar se “Të gjitha regjistrimet publike, përfshirë kërkesat e bëra nga mbrojtja (dhe çdo vendim për to), janë botuar në faqen e tyre të internetit”.

Por në ueb-faqen e tyre nuk gjendet ndonjë e dhënë për rastin në fjalë. Kësisoj KALLXO.com ka ridërguar pyetje në Dhomat e Specializuara.

Në një përgjigje tjetër, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep ka thënë se “mund të ketë të dhëna që janë konfidenciale”.

“Dëshiroj t’ju shpjegoj klasifikimin e regjistrimeve dhe çfarë do të thotë kjo në lidhje me informacionin publik. Ka regjistrime publike që mund t’i gjeni në faqen e internetit. Mund të ketë edhe regjistrime, të cilat janë konfidenciale, që do të thotë se regjistrimi dhe përmbajtja e tij nuk do të jenë në dispozicion të publikut. Prandaj, ne flasim vetëm për regjistrime publike. Ne nuk spekulojmë për asgjë tjetër”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Kurse, Zyra e Kryeministrit të Sllovenisë nuk ka komentuar pyetjen e KALLXO.com nëse kanë pranuar kërkesë që Thaçi të dërgohet në arrest shtëpiak në këtë shtet dhe nëse Qeveria sllovene ka garantuar për këtë gjë.

“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Sllovenisë nuk i komenton pyetjet tuaja”, thuhet shkurt në përgjigjen e Zyrës për marrëdhënie me publikun të Qeverisë së Sllovenisë.

Më 5 nëntor të vitit 2020 Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës, pasi ndaj tij u konfirmuar aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale.

Presidentit Hashim Thaçi i konfirmohet aktakuza nga Specialja