Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A kanë të drejtë mjekët që po refuzojnë vaksinën anti-COVID-19?

Marrja e vaksinës anti-COVID-19 të shpëton nga vdekja. Kështu ka thënë neuropsikiatri i njohur kosovar, Afrim Blyta, në një intervistë për “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se mjekët që po refuzojnë ta marrin vaksinën nuk janë mirë të informuar dhe kanë dyshime. Por, ai ka thënë se mjekët me shembujt e vetë personal duhet të ndikojnë që edhe qytetarët të vaksinohen.

“Pse thonë mjekët s’po e du vaksinën? Sepse kanë dyshime në kokën e vet, kanë probleme me informim. Unë mendoj që nuk kanë të drejtë, sepse duhet të informohen edhe më tepër, po nuk mundet politikani me informu doktorin që duhet me marrë vaksinën, po duhet doktori me bind doktorin që është koha me marrë vaksinën”, deklaroi Blyta.

“Shembulli personal i doktorit që e njohin njerëzit, me shembullin personal duhet me i bind të tjerët që vaksina është zgjidhja e problemet të pandemisë, jo veç në nivel global po edhe në Kosovë. Si ke me bind qytetarin me marrë veksinën nëse ti ke me refuzu me e marrë?”, deklaroi ai.

Ai ka folur edhe për sigurinë që ofron vaksina anti-COVID-19.

“Vaksina të mbron prej hospitalizimit, secila vaksinë të mbron prej vdekjes, njëqind për qind. Të gjithë të vaksinuarit deri më tani, asnjë nuk ka vdekur prej COVID-it, çfarë po doni më shumë?”, tha ai.

“Nëse je punëtor shëndetësor unë mendoj që je i obliguar me marrë vaksinën, qytetari edhe mund të refuzoj me marrë. Por, punëtori shëndetësor, i cili është më i rrezikuari dhe e dyta, ka mundësi me i rreziku të tjerët mendoj që duhet gjithsesi me u vaksionu, dhe atë pa diskutim”, deklaroi ai.