A kanë gjetur AAK dhe LVV në Rahovec partner koalicioni?

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes për Rahovecin, Visar Korenica, ka thënë se tashmë kanë biseduar me dy partitë opozitare dhe po presin për konkretizim të marrëveshjes.

“Kemi pasur bisedime me partitë opozitare dhe janë për ndryshim. Dua të ftoj elektoratin që të na mbështesin për ndryshim edhe më tej. Edhe slogani jonë është të bashkëqeverisim dhe do të lidhim koalicion për të bashkëqeverisur. Partitë opozitare janë duke punuar që të na përkrahin në balotazh dhe së shpejti do t’i konkretizojmë marrëveshjen për bashkëqeverisje”, ka thënë Korenica.

Në anën tjetër kandidati i AAK-së, Smajl Latifi, ka thënë se për koalicione do të bisedojnë pas certifikimit të rezultateve të 14 nëntorit.

“Do të flasim pas certifikimit të rezultateve, pas 14 nëntorit. Do të bashkëqeversim me qytetarin dhe do të punojmë që të bashkëqeverisim me kuvendin komunal të Rahovecit”, ka thënë Latifi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Rahovec: Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i AAK-së Smajl Latifi i ka marrë 47,18 për qind të votave, kurse Visar Korenica nga LVV, ka siguruar 24,84 për qind.