A ka ‘qepime’ në televizione dhe radio?

Faruk Rexhaj, ushtrues detyre i kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në mediat televizive dhe radio në Kosovë ka pasur raste ku është shkelur Kodi i Etikës.

“Nuk kemi pasur ndonjë rast të ngjashëm mirëpo ka pasur raste të tjera të shumta ku është bërë shkelje e Kodit të Etikës. Çdo subjekt transmetues e ka për obligim edhe në bazë të Kodit të Etikës që të krijojë brenda mediumit një kod të vetin, tek përmbajtjet e dëmshme, gjuhen e urrejtjes”, tha ai.

Rexhaj tha që në këtë institucion janë vetëm 8 zyrtarë që monitorojnë mediat.

“Ne jemi afërsisht 30 zyrtarë, vetëm 8 i kemi në monitorim të mediave. Zakonisht kemi shkuar me vërejtje si dhe kërkim falje. Kemi trajtuar 16 ankesa, 3 raste ex officio të gjitha këto kemi shqiptu gjoba për shumicën e televizioneve që janë me program gjeneralistik”, tha ai.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, tregoi për monitorimin që e ka bërë kjo organizatë.

“Ne i kemi pasur dy monitoruese që kanë mbërri brenda dy viteve me i monitoru 26 portale në baza ditore dhe me i dërgu në KMShK 145 ankesa, ku nga to 88 janë miratuar”, tha ai.

Të premten në tri media në Kosovë, Gazeta Express, Ekonomia Online dhe rtklive.com është publikuar një lajm  me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, mirëpo në një pjesë të lajmit është porosia: “(mundesh me hjek krejt, veç nëse do m`i qepu Vjosës)”.

Presidenca ka vlerësuar se në këtë rast është bërë raportim joprofesional duke u bërë thirrje mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publike.

Ekonomia Online të premten ka thënë se lajmi është marrë nga Gazeta Express dhe ka kërkuar falje për lëshimin.

Ndërsa Gazeta Express përmes një sqarimi të bërë sot i ka kërkuar falje presidentes.