A ka Podujeva bibliotekë?

Ka apo nuk ka Podujeva bibliotekë?

Në debatin e Jeta në Kosovë me kandidatët për kryetar për zgjedhjet e jashtëzakonshme të Podujevës, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Nexhmi Rudari, prezantoi disa fotografi për të cilat tha se janë nga biblioteka e qytetit.

Por kundërkandidatët në garë reaguan duke thënë se biblioteka nuk është funksionale.

“Është mirë që erdhën këto zgjedhje dhe i mblodhën disa libra për t’i prezantuar si bibliotekë. Besoj që kjo bibliotekë nuk është funksionale”, tha Shpejtim Bulliqi, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës.

Por Rudari reagoi duke thënë se biblioteka është funksionale.

“Biblioteka është e hapur dhe njerëzit janë duke punuar”, tha ai.

Edhe Naim Fetahu, kandidat i PDK-së për kryetar të Podujevës mohoi që kjo bibliotekë është funksionale.

“Janë mbledhë disa libra për me ba një fotografi për fushatë”, tha Naim Fetahu.