Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A ka ndikuar rezultati i zgjedhjeve në Podujevë për votimin e Ligjit të rimëkëmbjes ekonomike?

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në intervistë për KALLXO.com ka thënë që rezultati i zgjedhjeve në Podujevë nuk ka ndikuar që PDK-ja të votojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Biseda ka pasur edhe më herët për Ligjin, sepse ka pasur kërkesa të tilla. Unë të paktën nuk kam indikacione që ato ndërlidhen”, tha Bajrami.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Podujevës janë mbajtur më 29 nëntor. Këto zgjedhje i ka fituar kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi.

Ndërsa të premten Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19.

 

Ndërsa sot, Ligji për rimëkëmbje ekonomike është publikuar në Gazetën Zyrtare, gjë që i hap rrugën tërheqjes së 10-përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).

Publikimi në Gazetën Zyrtare i Ligjit vjen pas dekretimit të tij nga ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar dje se tërheqja e 10-përqindëshit mund të bëhet 15 ditë pas publikimit të Ligjit në Gazetën Zyrtare, përveç nëse në Ligj nuk përcaktohet ndryshe.