A ka hequr dorë nga kandidatura për president? Flet Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se ende e kanë ofertën e tyre, sa i përket kandidaturës së tij për presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së partisë së tij, i pyetur nga gazetarët se a ka hequr dorë nga synimi për këtë pozitë, Haradinaj ka thënë se e kanë po atë ofertë që e kanë prezantuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kemi dalë në zgjedhje me ofertë, kemi po atë ofertë, nëse dikush kërkon partneritet me ne, nëse jo, e ndihmojmë vendin nga pozicioni i opozitës”, tha ai.

I pyetur nëse pranon pozitë tjetër nëse i ofrohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përpos postit të presidentit, Haradinaj tha se janë opozitë.

“Nuk po flasim për pozita, Aleanca ka dalë në zgjedhje ka pasur një ofertë. Nëse dikush ka interesim me diskutu për ne, jemi të hapur. Ajo që dihet, që s’ta merr askush, opozitë jemi dhe do të jemi në shërbim të vendit”, theksoi ai.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Haradinaj ka kandiduar për pozitën e presidentit, ndonëse zgjedhjet kanë qenë për Kuvendin e Kosovës.

Kandidate për pozitën e kreut të shtetit të Kosovës është edhe Vjosa Osmani, e cila më 14 shkurt garoi në listën zgjedhore të LVV-së.