A ka emërime politike në bordin e ri të "Trepçës" nga Qeveria Kurti?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për gjendjen, të ardhmen dhe për emërimet në bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça”.

Bujar Bilalli, i emëruar në bordin e “Trepçës”, ka qenë pjesë e listës për Asamble të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Asokohe, ai më 81 vota nuk kishte arritur që të fitojë ulëse në Asamblenë e Mitrovicës.

Për këtë zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, thotë se Komisioni Qendror Zgjedhor ka vërtetuar se a kanë qenë të ekspozuar politikisht në tri vitet e fundit.

“Ligji për ndërmarrje publike thotë që në tri vitet e fundit një person që kandidon si anëtar i bordit nuk duhet të jetë i ekspozuar politikisht, do të thotë tri vitet e fundit, Tani jemi në vitin 2021, në 2017 e më herët ai person ka mund të jetë i ekspozuar politikisht”, ka thënë Arifaj.

Në anën tjetër, Esat Peci, ish-anëtar i bordit të “Trepçës”, i pyetur se a mund të bëhet dikush pjesë e një bordi pa qenë pjesë e partive politike, u përgjigj me jo.

“Shumica e tyre nuk deklarohen, por që janë anëtarë të partive, që nuk është ndonjë problem i madh, nëse ata zgjidhen për nga kualiteti i tyre, sepse në Kosovë, pothuajse 100% të njerëzve kanë bindje politike”, ka thënë Peci.

Ish-kandidati i LVV-së për Asamble emërohet në bord të “Trepçës”

www.kallxo.com