Lush Krasniqi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

A ka dëshmitarë okularë për Masakrën e Mejës?

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Lush Krasniqi, i mbijetuar i Masakrës së Mejës ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime” se nuk ka dëshmitarë okularë për këtë masakër, përpos paramilitarëve serbë të cilët kanë qenë ekzekutues, disa prej të cilëve kanë qenë edhe dëshmitarë bashkëpunues.

“Jo (nuk ka dëshmitarë okularë). Këtë që e them unë është vetëm çka kam parë unë në fshatin tim. Unë kam parë shumë kufoma që janë identifikuar pas luftës”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se vrasjet e personave në këtë masakër kanë ndodhur në lokacione të ndryshme të fshatrave të Gjakovës, Junikut e Deçanit.

“Një pjesë e tyre janë djeg në shtëpia, një pjesë të shkolla e Mejës, thuhet që kanë pa grupe prej 10-15 të cilët skajoheshin për ekzekutim, në një vend që është e mbuluar me pemë aty janë ekzekutuar njerëzit dhe kam gjetur kapelën e një personi, një grup deri në 50-60 njerëz ku të përndjekurit ju kanë parë letra në dorë, në formë të listave, një pjesë e tyre janë larguar diku prej rrugës kryesore në një lëndinë në mes të pyllit dhe aty janë ekzekutuar me fytyrë për toke. Kanë qenë të renditur në tre rende, brenda varrezave katolike në Mejë, kanë qenë pesë varreza të hapura të veçanta, mjetet e groposjes aty dhe në tri kishte pas kufoma, në dy kanë qenë të pa varrosura askush”, ka rrëfyer Krasniqi.