Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A i mbajti kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, premtimet e vitit 2021?

Në vitin 2021, Agim Aliu fitoi betejën për kryetar të Ferizajt pa balotazh.

Atëkohë, Aliu premtoi ‘të gjelbrën’ në Ferizaj.

Në emisionin “Jeta në Komunë” u shikuan, analizuan dhe vlerësuan premtimet e Agim Aliut.

Premtimi i tij për pishinën gjysmë-olimpike u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’, pasi që pishina nuk është ndërtuar për shkak të problemeve pronësore mes Komunës së Ferizajt dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Ferizajt, Xhemile Murati-Shabani, thotë se deri më tani nuk ka pasur hapa drejt zgjidhjes së problemit pronësor por që në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030 kanë filluar hapat për shpronësim.

‘Me tu shpronësuar kjo hapësirë lirohen 29 hektarë afër palestrës së sporteve’ – deklaroi Murati-Shabani.

Stadiumi në Ferizaj ishte po ashtu premtim i Agim Aliut.

Në vitin 2021 Aliu kishte thënë se ka probleme ligjore për bartjen e pronës nga AKP te Komuna.

Më 2024, stadiumi ende nuk është ndërtuar.

Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’ për shkak se veçse kanë filluar procedurat për ndërtimin e stadiumit.

Tjetër premtim ishte edhe ndërtimi i stadiumit stërvitor në mes të Saraishtës dhe Lloshkobares.

Edhe ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’ pasi që 40% e punimeve kanë përfunduar por ende nuk janë kryer të gjitha punimet.

‘E vërtetë’ është vlerësimi për premtimin e Aliut që sapo të fitojë mandatin do të fillojnë procedurat e dhënies në shfrytëzim të Qendrës së Inovacionit. Ky premtim u mbajt nga Aliu dhe Qendra është dhënë në shfrytëzim.

‘Me kos’ u vlerësua premtimi për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Rakaj, përfundimin e ujësjellësit dhe shtrimin e rrugës.

QMF në Rakaj nuk është ndërtuar, rruga ka mbetur të shtrohet edhe shtresa e dytë, kurse ujësjellësi nuk ka përfunduar.

Ismail Ademi, banor i fshatit Rakaj, thotë se kurrë guri i themelit i QMF-së nuk u hodh.

‘Deri te shkollat janë gypat por së paku 17 vjet janë që ujë nuk ka. Rrugën e kanë shtru por në njërën anë kanë ngelur pa shtru trotuaret. Kanë pasë me ia dhanë edhe shtresën përfundimtare por atë ditë e këtë ditë kurrë më’ – deklaroi Ademi.

‘Jo, nuk është ndërtuar QKM-ja në Rakaj. Ujësjellësi dhe asfaltimi i rrugës janë buxhetuar për vitin 2025-2026″ – thuhet në përgjigjen me shkrim nga Komuna.

Park tek objekti i vjetër i shkollës ‘Gjon Serreçi’, tek objekti i KRM ‘Pastërtia’ e te shkolla ‘Astrit Bytyçi’ kishte premtuar Agim Aliu më 2021.

Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet Vazhdojnë’. Asnjëri nga parqet nuk janë ndërtuar.

‘Parku te ‘Pastërtia’, në mungesë të përfundimit të objektit të ri të ‘Pastërtisë’, nuk ka pasur mundësi të fillojë. Projekti i objektit të ‘Pastërtisë’ është përfunduar, ka mbetur vetëm çështja e trafos elektrike e premtuar nga KEDS. Parku te ish-shkolla ‘Gjon Serreçi’ nuk është ndërtuar për shkak të çështjeve politike na është refuzuar miratimi nga Instituti për Trashëgimi Kulturore. Për parkun tek shkolla ‘Astrit Bytyçi’, nuk kemi pritje për një park në këtë lokalitet’ – thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Në Ferizaj nuk është përfunduar as ujëmbledhësi i Jezercit. Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet Vazhdojnë’ për shkak se është projekt në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.