A guxojmë të shpresojmë në mundësinë e arritjes se një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës?

   Në fund të vitit të kaluar, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës arritën pikën e tyre më të ulët në më shumë se një dekadë, mirëpo këtë javë pati shenja të dyja palët mund të jenë gati për t’i rinisur bisedimet.

Një nga pengesat më të mëdha në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian ka qenë prej kohësh dështimi i saj për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Beogradi e di se anëtarësimi në BE nuk do të ndodhë nëse nuk gjen ndonjë mënyrë për ta pranuar pavarësinë e Kosovës.

Të dyja vendet kanë aplikuar për anëtarësim në BE. Serbia e bëri ofertën e saj për anëtarësim në vitin 2009 dhe e ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2012. Kosova e dorëzoi aplikacionin e saj vetëm në dhjetor të vitit të kaluar dhe ende nuk është pranuar si kandidate.

Ndërsa BE-ja e ka bërë të qartë se normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve janë një parakusht për anëtarësimin e secilit, pak progres është bërë drejt një marrëveshjeje. Në të vërtetë, viti i kaluar pa përshkallëzimin më serioz të tensioneve mes dyja vendeve për disa kohë.

Problemet filluan gjatë verës kur pati një acarim në mesin e serbëve etnikë në veri të Kosovës për shkak të ligjeve e të reja ku u kërkohej atyre që t‘i shkëmbejnë dokumentet e tyre të lëshuara nga serbët (si targat dhe kartat e identitetit) me ato të lëshuara nga autoritetet kosovare. Pasuan një seri përplasjesh të shkurtra në rrugët që të çojnë në Kosovë nga Serbia, të cilat përfunduan vetëm pas apeleve të shumta nga ana e BE-së dhe SHBA-së për de-përshkallëzimin.

Në muajin nëntor, arrestimi i një ish-polici serb etnik në Kosovën veriore i nxiti protestuesit t’i bllokonin sërish rrugët – këtë herë për disa javë. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, në një moment deklaroi se ushtria e Serbisë ishte në “nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake”, por kur ish-polici u lirua nga paraburgimi, protestuesit i larguan bllokadat e tyre në rrugë.

“Serbia nuk mund të mbetet e izoluar”

Ironikisht, pavarësisht se dy vendet vetëm disa muaj më parë ishin shumë afër konfliktit të armatosur për herë të parë pas shumë vitesh, këtë javë pati shenja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të jëtë më në fund i gatshëm për ta filluar procesin e normalizimit me Kosovën. 

Të dërguarit e BE-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe SHBA-së të gjithë së fundmi janë takuar me Vuçiqin për ta diskutuar një projekt-marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Të hënën, gjatë një konference televizive për shtyp, Vuçiq e përmblodhi atë që ata ia kishin thënë.  

“[Ata] Më thanë – duhet ta pranosh këtë plan, përndryshe do të përballesh me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, ndalimin dhe tërheqjen e investimeve dhe masave gjithëpërfshirëse ekonomike dhe politike që do t’i shkaktojnë dëme të mëdha Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Vuçiq. “Do të mbetej çështje javësh përpara se regjimi pa viza që kemi me Bashkimin Evropian të hiqet”.

Më pas erdhi sugjerimi se Vuçiq nuk është gati t’i braktisë shpresat e Serbisë në BE: “Serbia duhet të qëndrojë në rrugën e saj drejt BE-së, sepse ne do të ishim të humbur pa të, ekonomikisht dhe politikisht. Në rast se do të mbesim të vetëm dhe të izoluar, kjo nuk është diçka që unë do ta pranoja si president”, tha ai.

Plani të cilit Vuçiq i referohet ende nuk është bërë publik (të paktën zyrtarisht), megjithëse një dokument që pretendon të jetë një projekt-marrëveshje normalizimi u zbulua nga mediat në muajin nëntor. Ky plan ndjek nga afër kuadrin e Traktatit Bazë të vitit 1972, i cili lejoi Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore ta njihnin de facto njëra-tjetrën, të themelonin “misione të përhershme” me njëra-tjetrën në vend të ambasadave zyrtare dhe të hapnin rrugën që të dyja të anëtarësoheshin në OKB.

Marrëveshja e zbuluar e normalizimit Kosovë-Serbi kërkon që të dy vendet të vendosin “marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta” dhe misione të përhershme në vendin e tjetrit. Të dyja vendet do të pranonin se nuk do ta “përfaqësojnë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as do të veprojnë në emër të saj”, dhe Serbia do t’i ndalojë përpjekjet për ta bllokuar Kosovën nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

“Progresi i këtij propozimi do të sillte përfitime të konsiderueshme për të dyja palët”, u tha gazetarëve këtë javë, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së. “Konsideroj se kjo është mënyra e vetme për ta thyer rrethin vicioz të krizës në terren dhe për ta reduktuar rrezikun për përshkallëzim të mëtejshëm”.

“Aderim i përshpejtuar në BE”

Propozimi i zbuluar përbëhet nga 10 pika të shkurtra, por përfshin themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës, garancitë se Kosova do t’i mbrojë kishat dhe manastiret historike që Serbia i konsideron si trashëgimi të saj, dhe – ndoshta më e rëndësishmja – anëtarësimin e përshpejtuar në BE për Serbisë.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka postuar të martën në Twitter se ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti lidhur me themelimin e një Asociacioni të Komunave Serbe si dhe kthimin e punonjësve serb në vendet e tyre të punës në veriun e Kosovës, si pjesë e një dialogu me Serbinë. 

Kurti ende nuk e ka përkrahur publikisht themelimin e Asociacionit dhe së fundi ka deklaruar se “Kushtetuta jonë është në mospërputhje me themelimin e një njësie etnike sepse thelbi i kushtetutës së Kosovës është struktura multietnike e shtetit”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gervalla thotë se propozimi i zbuluar është vetëm “bazë për diskutim”.

Mund të ketë ende mungesë të qartësisë se çfarë forme mund të marrë një marrëveshje përfundimtare e normalizimit Kosovë-Serbi, mirëpo komentet e Vuçiqit këtë javë tregojnë se ai këtë herë mund t’i marrë në konsideratë kostot e refuzimit duke e dhënë pajtimin e tij, si tepër shumë të mëdha.

Mbetet për t’u parë nëse Kurti – për të cilin bastet aktualisht nuk janë aq të larta – do të jetë gati të pajtohet me krejt këtë./Emerging Europe

Përgatiti: Nuhi SHALA