Bashkim Kurti, Kryeshef i KRU "Mitrovica" Foto: KALLXO.com
A është takuar kryeshefi i ujësjëllësit të Mitrovicës me kryesuesen e komisionit para se ai të zgjedhet kryeshef?
Pesëmbëdhjetë ditë para se t`i nënshtrohej intervistës, tashmë kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Bashkim Kurti është takuar me kryesuesen e komisionit Kumrije Kelmendi- Aliu, anëtaren e komisionit Aurora Dinaj dhe auditoren e brenshme Vildane Maloku. Konkursi për kryeshef të kësaj kompanie ka qenë i hapur deri më 23.07.2024, intervista e Kurtit ka qenë më 04.09.2024, ndërsa takimi më 20.08.2024 siç pretendojnë nga komisioni ka qenë në lidhje me një trajnim.
KALLXO.com ka pranuar një informacion se më 20.08.2024 kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Bashkim Kurti është takuar me kryesuesen e komisionit Kumrije Kelmendi- Aliu, anëtaren e komisionit Aurora Dinaj dhe auditoren e brenshme Vildane Maloku.
KALLXO.com ka siguruar një fotografi të kryeshefit dhe kryesueses në “Garden” në Prishtinë.
KALLXO.com ka kontaktuar kryeshefin ekzekutiv të kompanisë, Bashkim Kurtin dhe i njëjti ka thënë se nuk i kujtohet kjo fotografi dhe sipas tij “mund të jetë fotografi e vjetër” dhe se nuk janë takuar më 20.08.2024.
“Po jam zgjedh kryeshef. Jam zgjedh prej bordit. Intervista ka qenë me katër gusht nëse nuk gaboj. Jo nuk është e vërtetë (e ka mohuar që janë takuar më datë 20 gusht). Po e pashë foton. Sa foton e boj unë, nuk e di me siguri është e vjetër. Të vetmin raport shoqëror e kam me të e kam prej datës 1 nëntor zyrtarisht kur e kam marr postin. Për besë naj takim zyrtar, nuk e kam idenë. Për herë të fundit me kryesuesen jam taku të premten kur e kam nënshkru kontratën”- ka thënë Kurti më 30.10.2024 në një përgjigje për KALLXO.com.
Ndërsa kryesuesja e komisionit, Kumrije Kelmendi Aliu ka thënë për KALLXO.com se më 20.08.2024 janë takuar me kryeshefin në një trajnim nga Shoqata e ujësjellësve dhe kanalizimit të Kosovës (SHUKOS).
“Po, kjo fotografi sa po shihet është bërë më datën 20.08.2024 dhe është e prerë sepse në tavolinë kemi qenë 6 persona. Jo, nuk kam pasur, përveç takimeve të shumta zyrtare në periudhën paraprake. Më 20.08.2024, kam pasur një takim (gjatë kohës së pauzës së trajnimit) me kolegen time Znj. Aurora Dinaj. I njëjti ka qenë i angazhuar si trajner nga Shoqata SHUKOS, e cila ka organizuar trajnimin për auditorët e brendshëm dhe zyrtarët e prokurimit”- ka thënë Kelmendi Aliu për KALLXO.com.
Sipas kryesueses së komisionit, intervista e punës së Bashkim Kurtit për të kandiduar në pozitën e kryeshefit në KRU “Mitrovica” ishte më 04.09.2024 ndërsa është zgjedhur më 13.09.2024.
“Zotri Kurti është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv nga Bordi i Drejtorëve të KRU “Mitrovica” Sh.A. sipas Vendimit Nr. 1316/2 të datës 13.09.2024. Po unë kam qenë Kryesuese e Bordit. I njëjti ka treguar sukses gjatë procesit intervistues dhe është zgjedhur me vendim unanim të Bordit të Drejtorëve të KRU “Mitrovica” Sh.A. Procesi intervistues është mbajtur më 04.09.2024. Jo, nuk kam pasur, përveç takimeve të shumëta zyrtare në periudhën paraprake”- përfundoi kryesuesja.
KALLXO.com dërgoi pyetje edhe anëtares së komisionit, Aurora Dinaj dhe kishte të njëjtat përgjigje sikur kryesuesja.
Ndërsa Vildane Maloku auditore e brenshme konfirmoi trajnimin e datës 20.08.2024 dhe tha se takime paraprake me kryeshefin nuk ka pasur.
“Jo (nuk kam pasur takime) se jam auditore e brenshme, nuk kam të drejtë. Më datë 20.08.2024 kena qenë auditor të ujësjellësëve në një organizim të ujësjellësave të organizum prej SHUKOS-it në “Garden” u organizu. Trajner ka qenë Bashkim Kurti i organizum prej SHUKOS-it. Kryesusja nuk ka qenë hiç në trajnim, anëtarja tjetër ka qenë se ajo ka qenë auditore e brenshme. Krejt auditorët dhe zyrtarët e prokurimit kemi qenë”- tha Maloku për KALLXO.com.
Ndryshe, Bashkim Kurti është emëruar kryeshef i ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë më 12.01.2024.
Kurti ka qenë drejtor në Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” para se të zgjedhet kryeshef në “Trepçë”.
Ndërsa më 02.08.2024 Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim që të anulohet zgjedhja e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”. Këtë vendim e ka shqyrtuar bordi i ndërmarrjes “Trepça” në mbledhjen e mbajtur më 02.08.2024. Ata kanë vendosur që ta lirojnë nga detyra Bashkim Kurtin dhe ta emërojnë Faton Ahmetin ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.
“Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça Sh.A, në takimin e mbajtur më dt. 02.08.2024, ka analizuar situatën në dhe rreth Trepçës. Ndër të tjerash, ka vendosur të respektojë Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë C.nr.661/24 për anulimin e Vendimit dt. 11.01.2024 për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv. Me këtë rast, ka liruar nga detyra Kryeshefin Ekzekutiv z. Bashkim Kurti, dhe njëherësh ka emëruar z. Faton Ahmetin U.D. Kryeshef Ekzekutiv. Bordi Mbikëqyrësi i Ndërmarrjes Trepça Sh.A falënderon z.Bashkim Kurtin për angazhimin dhe kontributin e dhënë” – thuhej në njoftimin e ndërmarrjes “Trepça”.