A është sa duhet e zëshme Akademia e Shkencave të Kosovës?

Kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka thënë se ky institucion është mjaftë i zëshëm kur fjala është për zhvillimet politike dhe kulturore në vend.

Në një intervistë për KALLXO.com, Kraja thotë se është keqkuptuar roli i Akademisë në shoqëri. Sipas tij, modeli aktual i ASHAK-së është model i shumë Akademive evropiane.

“Ka një defekt në perceptim te ne rreth Akademisë, sepse mendojnë që Akademia ka mandat superior, suprem të dijes dhe obligime ndaj shtetit i cili e mban. Modeli është i keq. Është perceptuar gabimisht një model i tillë i Akademisë, kryesisht në një koleracion ose me një ngjashmëri e kanë krijuar njerëzit në mendjen e tyre me Akademinë serbe”, thotë Kraja.

Sipas tij, modeli i Akademisë serbe është model i keq.

“Akademia serbe ka bërë projekte, elaborate për zhdukje shqiptarësh, për luftëra, për shkatërrimin e Jugosllavisë, kësisoj dhe mendoj që ajo është një model i keq, dhe këtë e kanë thënë të gjithë, një Akademi e tillë çon atje ku nuk duhet. Mos mendoni që Akademia e Serbisë i ka bërë mirë popullit serb dhe shtetit të Serbisë, përkundrazi e ka dëmtuar shumë”, vlerëson kryeakademiku kosovar.

Sipas tij, “nuk i takon Akademisë të marrë përgjegjësi që nuk i takojnë”.

Kraja thotë se ASHAK është mjaftë e zëshme për rolin që e ka, të rregulluar edhe me ligj.

“Në të vërtetë Akademia është mjaftueshëm e zëshme dhe nuk duhet të jetë më e zëshme se kaq, mendoj unë. Mandati i Akademisë nuk është as Kuvend as nuk është Qeveri, as nuk i bën karshillëk as Qeverisë as Kuvendit. Është pjesë e institucioneve të kësaj shoqërie, jeton bashkë me të dhe preokupohet po aq sa çdo institucion tjetër”, thotë ai.

“Në situata të caktuara, Akademia del me komunikata të caktuara. Problemi është se këto deklarime publike të ASHAK-ut nuk hasin në mirëkuptim, së pari te mediat. Një pjesë e tyre as nuk i publikojnë fare. Arsyeja është sepse është krijuar një anomozitet ndaj Akademisë, dhe kjo është krijuar me vite. Këtu nuk është ‘tokë e shkretë’. Kjo Akademi ka njerëz të cilët kanë integritet, kanë dije dhe janë në gjendje të japin mendime për çështje të caktuara”, thotë Mehmet Kraja për KALLXO.com

Intervistën e plotë mund ta gjeni KËTU.

Kryeakademiku Kraja: Asociacioni nuk bëhet për të drejtat e serbëve por për ta minuar Kosovën

www.kallxo.com