A është ky njeriu që mund të rrëzojë nga pushteti presidentin turk, Erdogan?

Pas muajsh negociatash dhe një jave drame, blloku opozitar turk e ka shpallur Kemal Kılıçdaroğlun, udhëheqësin e Partisë Popullore Republikane (Cumhuriyet Halk Partisi, CHP), si kandidatin e tyre të përbashkët presidencial. Zgjedhjet e përgjithshme në maj duket se do të jenë sfida më e madhe me të cilën është përballur presidenti Erdogan që nga ardhja në pushtet në vitin 2002.

Një skenë e pazakontë ka ndodhur në Ankara mbrëmjen e së hënës. Një portret i madh i Ataturkut, babait themelues radikal sekular të Turqisë moderne, fluturoi në erë mbi selinë e një partie islamike. Jashtë, mijëra u mblodhën, duke brohoritur emrin Kılıçdaroğlu, një politikan nga një pakicë fetare, Alevitë, të cilët janë përballur me persekutim për pjesën më të madhe të historisë 100-vjeçare të Republikës Turke. Brenda selisë së partisë, së bashku me mikpritësit e tyre, CHP e qendrës së majtë, Partia e Mirë ultranacionaliste (İyi Parti) dhe dy parti të shkëputura nga qeveria e Erdoganit po e finalizonin emërimin e kandidatit të tyre të përbashkët dhe një udhërrëfyes për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që do të mbahen më 14 maj.

Aleanca Kombëtare (Millet İttifakı) përbëhet nga gjashtë parti opozitare dhe u themelua vitin e kaluar për t’i dhënë fund sundimit prej dy dekadash të Erdoganit. Pavarësisht objektivit të tyre të përbashkët, për muaj të tërë aleanca nuk arriti të dakordohej për një kandidat të përbashkët presidencial. Udhëheqësja e Partisë IYI, Meral Akşener, e kundërshtoi ashpër Kılıçdaroğlun dhe bëri fushatë për kryebashkiakun e Stambollit ose të Ankarasë, të dyja figura më të djathta të CHP-së.

Debatet e nxehta arritën kulminacionin më 3 mars, kur pesë nga gjashtë liderët e partive ranë dakord për kandidatin Kiliçdaroglu. Akşener e braktisi koalicionin dhe njoftoi se partia e saj do të garojë ndaras me kandidatin e saj. Një reagim publik në mesin e votuesve të opozitës dhe një valë dorëheqjesh nga Partia IYI (İyi Parti) e detyruan Akşenerin të kthehej në tavolinë dhe ta pranonte emërimin e Kılıçdaroğlu.

Kılıçdaroğlu ka bërë emër si një politikan i një kalibri shumë të ndryshëm nga presidenti Erdogan. Mbështetësit e tij shpesh e quajnë atë “burokrat”, për shkak të karrierës së tij në shërbimin civil dhe një karakteri të përulur. Mirëpo stili i tij i durueshëm dhe i vendosur i negociatave është dëshmuar si një forcë e rrallë unifikuese në politikën turke.

Ndikimi i tërmetit të 6 shkurtit, i cili la të vrarë mbi 45,000 njerëz dhe zhvendosi miliona të tjerë, i ka tronditur gjithashtu shanset e Erdoganit në zgjedhjet ku ai parashikohej gjerësisht t’i fitonte me një diferencë të rehatshme. Ekziston një ndjenjë e përhapur në shoqërinë turke se qeveria ishte të paktën pjesërisht fajtore për numrin e lartë të vdekjeve, nxitur nga korrupsioni dhe neglizhenca në rregulloret e ndërtimit, reagimi i ngadaltë i shërbimeve të urgjencës dhe mungesa e koordinimit në misionet e shpëtimit dhe të ndihmës.

Opozita e ka kritikuar ashpër reagimin e qeverisë ndaj katastrofës. Disa sondazhe sugjerojnë se tërmeti e ka përmbysur balancën elektorale në favor të opozitës.

Që nga viti 2018, Turqia është përfshirë nga një krizë e madhe ekonomike. Shkalla e papunësisë është rritur, lira turke ka humbur pothuajse 500 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan në pesë vitet e fundit dhe standardi i jetesës dhe fuqia blerëse e qytetarëve vazhdon të përkeqësohet. Në vend që t’i rrisë normat e interesit për ta trajtuar inflacionin e lartë, mesatarja e zakonshme e bankave qendrore në mbarë botën, Erdoğan ka qëndruar në politikat e tij ekonomike të pazakonshme, duke pretenduar se normat e larta të interesit çojnë në inflacion edhe më të lartë.

Në muajt e fundit, qeveria turke nisi një sesion të madh shpenzimesh parazgjedhore, duke e dyfishuar pothuajse pagën minimale dhe duke e prezantuar një program të ri social të strehimit që premton ndërtimin e 500,000 shtëpive të reja. Projektet u mbështetën nga dhjetëra miliarda dollarë nga shtetet e Gjirit, duke rritur njëkohësisht tregtinë e vendit me Rusinë që nga pushtimi i Ukrainës, pavarësisht sanksioneve perëndimore.

‘Aleanca Kombëtare’ në opozitë është zotuar ta riorientojë ekonominë e vendit në tregun perëndimor dhe të tërheqë më shumë investime të huaja duke e ndëshkuar korrupsionin dhe duke i forcuar institucionet demokratike të vendit. Ata kanë premtuar gjithashtu se do ta rivendosin pavarësinë e bankës qendrore në mënyrë që ajo të mund të fokusohet në objektivin e saj kryesor: trajtimin e inflacionit.

Qeveria e ardhshme, kushdo që ta formojë, duhet të përballet me inflacionin më të keq në dekada dhe me një deficit tregtar rekord. Ekonomistët parashikojnë masa të ashpra represive dhe një përkeqësim të krizës së kostos së jetesës, përpara çdo shprese për rimëkëmbje.

Një tjetër temë që mund ta luajë një rol vendimtar në zgjedhje është migrimi. Turqia aktualisht pret rreth katër milionë refugjatë. Rreth 3.6 milionë janë sirianë, të mirëpritur fillimisht nga qeveria e Erdoganit në vitet e para të luftës civile siriane. Në prill të vitit 2016, BE-ja arriti një marrëveshje me Ankaranë: Turqia u zotua ta ndalojë fluksin e migrimit të parregullt drejt Evropës duke i mbajtur refugjatët në këmbim të miliarda eurove.

Pakënaqësia publike me numrin e lartë të refugjatëve është rritur vazhdimisht. Një sondazh i kryer nga Fondacioni ‘Social Demokraci’ (SODEV) sugjeron se 66 për qind e qytetarëve turq dëshirojnë që sirianët ‘të kthehen në vendin e tyre’.

Ndërkohë qëqeveria nuk ka një plan afatgjatë për refugjatët, opozita ka dalur me sugjerim për një zgjidhje të këtij problemi. Kılıçdaroğlu premton se, nëse ia del t’i fitojë zgjedhjet, qeveria e re do t’i rihapë kanalet e drejtpërdrejta diplomatike me regjimin e Asadit në Damask dhe do ta lehtësojë kthimin e sigurt dhe vullnetar të miliona sirianëve në vendin e tyre, me ndihmën financiare dhe logjistike që ata presin nga BE. Edhe pse shumë dyshojnë se kjo mund të funksionojë, premtimi për një zgjidhje të çdo lloji duket se do të dërgojë shumë vota të përkrahësve të Erdogan në kampin opozitar.

Sikurse Erdogani, ashtu edhe Aleanca e tij Popullore (Cumhur İttifakı), dhe Aleanca Kombëtare (Millet İttifakı) në opozitë, kanë nevojë për mbështetjen e pakicës së madhe kurde të Turqisë, për t’i fituar zgjedhjet. Sondazhet e fundit sugjerojnë se asnjëra nga këto aleanca nuk mund të sigurojë një fitore të qartë në raundin e parë. Kjo do të rezultonte në një raund të dytë midis dy kandidatëve më të fortë presidencialë – Kılıçdaroğlu dhe Erdogan.

Partia Demokratike e Popullit pro-kurde, HDP, (Halkların Demokratik Partisi), aktualisht partia e tretë më e madhe në parlament, e ka mbështetjen më të lartë në mesin e elektoratit kurd. Mbështetja e tyre për Erdoganin është shumë e pamundur: partia është përballur me persekutim të vazhdueshëm, me dhjetëra kryebashkiakë të larguar nga detyra dhe qindra anëtarë të partisë të burgosur. Prokurorët në një çështje në proces në Gjykatën Kushtetuese e kërkojnë mbylljen e partisë për lidhje të dyshuara me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e parë si një organizatë terroriste nga Ankaraja, BE-ja dhe SHBA-ja.

Mbështetja e HDP-së për Aleancën Kombëtare në opozitë nuk është gjithashtu e garantuar. Aleati i Kılıçdaroğlu, Partia nacionaliste IYI (İyi Parti) e ka shprehur vazhdimisht mosgatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me lëvizjen pro-kurde, duke e shtyrë HDP-në ta krijojë aleancën e saj opozitare me partitë më të vogla socialiste. Por meqenëse blloku kryesor i opozitës e ka emëruar Kılıçdaroğlu-n, bashkë-udhëheqësit e HDP-së thonë se në rrethana të caktuara ata mund ta konsiderojnë tërheqjen e kandidatit të tyre presidencial dhe në vend të kësaj të mbështesin Kiliçdaroğlu-n.

Në vitin 2018, të gjitha partitë kryesore pozitare konkurruan me kandidatët e tyre presidencialë, duke i dhënë Erdogan një fitore të qartë në raundin e parë. Në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, opozita iu bashkua radhëve kundër Erdoganit dhe AKP-ja qeverisëse humbi kontrollin e 11 provincave, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë. Nëse Kılıçdaroğlu mund ta mbajë së bashku aleancën e brishtë dhe ta sigurojë mbështetjen e kurdëve, opozita do të ketë shansin e saj më të mirë ndonjëherë për ta rrëzuar Erdoganin nga pushteti afatgjatë.

Erdogani ka ardhur në pushtet pas tërmetit të vitit 1999 dhe krizës ekonomike që pasoi. Tërmeti i 6 shkurtit ishte të paktën dy herë më vdekjeprurës dhe kriza aktuale ekonomike është më e keqe se ajo e fillimit të viteve 2000. Të njëjtët faktorë që e ndihmuan Erdoganin t’i fitonte zgjedhjet 21 vjet më parë, mund ta rrëzojnë atë në muajin maj të këtij viti./The Spectator

 

Përgatiti: Nuhi Shala