Lush Krasniqi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

A është intervistuar ndonjëherë Krasniqi nga institucionet vendore për Masakrën e Mejës?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet rrëfimi i të mbijetuarit të Masakrës së Mejës, Lush Krasniqit.

Krasniqi ka thënë se familjarët dhe Asociacioni e Shoqatave të Personave të Zhdukur janë konsideruar si opozitë.

“Familjarëve dhe asociacionin e shoqatave na kanë konsideruar si opozitë, në vend që të fuqizojnë kanë tentuar të na thyejnë vullnetin. Kanë menduar që po luftojmë për pushtet dhe e kanë arrit që të na përçajnë. Kosova nuk ka sensibilizim pas 23 vjetëve”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se organet e shtetit në Kosovë nuk kanë vazhdimësi të procesit për Masakrën e Mejës.

Ai shton se ka parë nga këto organe jo seriozitet për këtë çështje.

Krasniqi ka treguar se një javë para përvjetorit të 23-të të masakrës, kryetari i shoqatës është kontaktuar nga policia në lidhje me masakrën.

“Kryetari i shoqatës, Haki Sadriu më thotë që një polic kërkon që të marrë informacione. Në vend që polici të na ndihmojë ne, i thash që nuk është e mundur që të merrem me gjëra fillestare. Çdo organ që vjen thotë unë tash kam ardhë, nuk e kanë vazhdimësinë e procesit, që duhet të jetë i pashkëputshim. Se kam refuzuar por e kam parë një jo seriozitet”, ka thënë Krasniqi.

“Kosova nuk e ka listën përfundimtare të njerëzve të vrarë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se ka dëshmuar për Gjykatën e Hagës por tashmë nuk është më pjesë e procesit.

“Diku gjashtë apo shtatë orë kam dhënë intervistë në shtëpinë time, ndërsa në terren kemi shkuar në Mejë, Guskë, Korenicë etj, duk mbledhur grafite. Kam qenë dëshmitar dhe por duke qenë se është reduktuar numri i dëshmitarëve nuk jam më”, ka thënë tutje ai.

Tutje Krasniqi ka rrëfyer që ka dhënë dëshmi edhe në qytetin e Beogradit.

“Gjykimi nuk është kryer është kryer vetëm shkalla e parë. Kam qenë si palë e dëmtuar ku akuzohen ushtria serbe dhe policia serbe njëra për kidnapim tjetra për ekzekutim. Kam qenë me nënën time që ka ndërruar jetë para dy- tre muajsh. Kemi qenë diku 12 anëtarë të familjes, kemi rrëfyer para gjykatës për atë që na është pyet”, ka thënë tutje ai.